E Shtunë, 31 Tetor 2026

City i kërkon falje Fergusonit

Sulmuesi argjentinas, Carlos Tevez, ka mbajtur në dorë një poster ku shkruhej ‘R.I.P. Fergie’, pasi menaxheri i Unitedit i kishte thënë Roberto Mancinit se skuadra e tij nuk do ta fitonte kurrë titullin e Premier Ligës.

Ish-sulmuesi i Unitedit e kishte marrë atë poster nga një tifoz përderisa ata ishin duke e festuar titullin nëpër rrugët e qytetit. Posteri ishte si shenjë hakmarrje pas fjalëve të Fergusonit i cili kishte thënë se ai nuk do të lejonte Cityn kurrë që të fitonte titullin.

Mirëpo, skuadra e Manchester City përmes zëdhënësit të saj ka dënuar aktin e Tevezit duke thënë se ai ka bërë një gabim të madh në gjykimin e tij.

“Krijimi i materialeve të tilla është vetvetiu i dënueshëm. Carlos ka bërë një gabim të madh në gjykimin e tij, kur e ka pranuar dhe e ka përdorur atë. Klubi dëshiron ti shpreh keqardhjet e tij të sinqerta Sir Alex Fergusonit dhe Manchester Unitedit për çdo ofendim ose vuajtje të shkaktuar”, tha zëdhënësi i Cityt.

Po ashtu edhe Tevez ka kërkuar falje për incidentin, dhe ka insistuar se kjo nuk tregon mungesë respekti për ish-menaxherin e tij.

“E kam kryer këtë veprim në një moment gëzimi, por kjo nuk do të thotë se unë nuk kam respekt për Sir Alex Ferguson, të cilin e admiroj si njëri dhe menaxher”, tha Tevez në deklaratën e tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›