City për titull

Yaya Toure beson se Manchester City do të jetë numër 1 në Premierligë këtë sezon. Mesfushori nga Bregu i Fildishtë mendon se nuk ka moment më të mirë për ta vërtetuar këtë fakt sesa ndeshja e së dielës në kupën Community Shield ndaj kampionit aktual të Anglisë, Manchester United.
City ka vuajtur shumë duke qëndruar gjithmonë si ekipi i dytë i qytetit të Manchesterit, duke i parë United të arrijnë sukses pas suksesi. ‘Citizens’ e fituan muaj më parë trofeun e parë pas 35 vjetësh. Ata e fituan trofeun FA Cup, ndërsa këtë e bëri më të ëmbël pasi e eliminuan rivalin e qytetit në gjysmëfinale.
Toure e shënoi golin e fitores në atë ndeshje, ndërsa shënoi sërish në finale ndaj Stoke, në fitoren minimale 1:0. Tash ish futbollisti i Barcelonës e si sheh mundësi të mirë ndeshjen e së dielës, për t’u treguar ‘Djajve të Kuq’ se cila në të vërtetë është fuqia e ekipit të Roberto Mancinit.
“Nëse është e mundshme, do të ishte fantastike ta shënoj golin e tretë në Wembley. Më pëlqen ai stadium. Gjëja më e rëndësishme nuk është të shënoj gol, por që City t’ua demonstrojë fansave të vet se ky ekip po vjen. Duhet t’i tregojmë Unitedit se edhe ne jemi këtu”, deklaroi Toure për tabloidin britanik The Sun.
Derisa shtatë titujt e Premierligës janë ndarë ndërmjet Man Utd e Chelseas, duket se ky sezon mund të jetë më interesanti dhe më i paqarti. Përkundër mungesës së fatit për trofe, Arsenali mbetet një tjetër ekip që synon titullin.
Këtë gjë do ta kërkojë edhe Liverpooli nën udhëheqjen e menaxherit të ri Kenny Dalglish. Toure e di se triumfi në Premierligë nuk do të jetë i lehtë, por beson se është koha që City të fitojë.
“Liga këtë vit do të jetë mjaft e fortë dhe ne duhet të përmirësohemi shumë. Mendoj se ky do të jetë viti ynë. Do të luftojmë dhe t’u tregojmë njerëzve se City do të jetë atje lart. Duhet ta tregojmë fuqinë tonë që nga fillimi. Mendoj se klubet tjera kanë filluar të brengosen nga Manchester City”, shtoi ai.
City deri tash e ka transferuar sulmuesin argjentinas Sergio Aguero nga Atletico Madrid. Toure, një përforcim i rëndësishëm i vitit të kaluar për klubin anglez, beson se pronarët arabë do ta transferojnë edhe ndonjë lojtar kualitativ për ta përmirësuar edhe më tej ekipin.
“Klubi po transferon lojtarë dhe ne po bëhemi edhe më të mirë. Edin Dzeko është në formë të mirë dhe ne kemi transferuar Agueron, po bëhemi të mirë e më të mirë. Aguero është lojtar fantastik. Ai është i shpejtë dhe i aftë. Në përgjithësi kemi lojtarë kualitativë në të gjitha pozitat, jo vetëm në përbërjen startuese, por edhe bankinë ”, përfundoi Toure.