I do të gjitha
Sulmuesi i Barcelonës, David Villa është i vendosur për hakmarrje ndaj Real Madridit pas humbjes në finale të Copa del Rey sezonin që shkoi, edhe pse klubi katalunas triumfoi në La Liga dhe në Ligën e Kampionëve. Barça dominoi ndaj Realit në Spanjë, duke e fituar titullin e tretë, ndërsa i eliminoi ‘armiqtë’ e përbetuar edhe në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Sidoqoftë, ‘Los Blancos’ nuk mbetën duarthatë pasi i mposhtën katalunasit në finale të Kupës falë golit të Cristiano Ronaldos me kokë, në lojën shtesë. Ish sulmuesi i Valencias synon që këtë sezon të fitojë çdo trofe të mundshëm me klubin nga Camp Nou.
“Dëshirojmë t’i fitojmë të gjithë titujt që i fituam sezonin e kaluar dhe nëse është e mundshme, edhe më shumë. Humbja në finale të Copa del Rey ishte një eksperiencë e keqe”, deklaroi Villa për të përditshmen spanjolle ‘Sport’.
Sfida e parë e këtij sezoni për Barçën do të jetë pikërisht ajo ndaj Realit, në dy ndeshjet e Superkupës së Spanjës, për të vazhduar më pas me Superkupën e Evropës në fund të gushtit ndaj fituesit të Europa League, Porto. Pasi ekipi i Pep Guardiolës u përgatit mjaft mirë, Villa nuk sheh arsye pse katalunasit të mos i fitojnë të dy titujt.
“Janë dy tituj që duhet t’i fitojmë në gusht dhe duhet ta demonstrojmë se jemi përgatitur. Duhet të jemi në gjendje të mirë për të qenë të suksesshëm. Faza para-sezonale ishte e mirë dhe e tërë puna e vështirë do të shpaguhet gjatë sezonit”, vazhdoi ai.
Villa, i cili i kushtoi Barcelonës 40 milionë euro vitin e kaluar, i arsyetoi sado kudo paratë e shpenzuara për të. Ai e ndihmoi gjigantin spanjoll drejt titullit të tretë rresht në La Liga, ndërsa shënoi gol në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Manchester Unitedit, ku Barça fitoi 2:1.
Gjatë kësaj vere flitej për një largim të tij të mundshëm në drejtim të Chelseas, por ato mbetën vetëm spekulime. Sivjet ai duhet të jetë edhe më i mirë, nëse dëshiron të luajë rregullisht. Ngase së bashku me Pedron e Sanchezin do t’i kërkojnë dy pozitat e sulmit përkrah të pazëvendësueshmit Messi.