I lumtur në Juventus

Mirko Vucinic i ka dhënë deklaratat e para si lojtar i Juventusit. Sulmuesi malazez nënshkroi kontratë katërvjeçare me ‘Zonjën e Vjetër’ të hënën pasdite, pasi i kaloi me sukses vizitat mjekësore. Për ish futbollistin e Lecces, Bianconerët ia paguan Romës 15 milionë euro, të cilat do t’ia japin për tri vjet.
“Jam i lumtur që jam në Juventus, jam mjaft i emocionuar. Mund të luaj si sulmues i parë ose i dytë, por edhe në krah të majtë. Nuk është me rëndësi pozita, më me rëndësi është të luaj në vazhdimësi. Edhe nëse trajneri Antonio Conte ma gjen një pozitë të katërt, do të isha në dispozicion”, deklaroi Vucinic për ueb faqen zyrtare të Juventusit.
Përfaqësuesi malazez kaloi vite të mira në Romë, edhe pse nuk fitoi trofe të rëndësishëm. “Roma tash është një kapitull i mbyllur, por përkundër të gjithave, ky klub ka mbetur në zemrën time”, përfundoi Vucinic i cili në Juventus pritet të paguhet tre milionë euro në sezon.