Civici: Pse diplomuam vetëm 85 studentë nga 321 të vitit të tretë
Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Adrian Civici, ka shpjeguar pse janë diplomuar vetëm 85 nga 321 studentë të vitit të tretë në UET. Në një intervistë për "Panorama", Civici thotë se në themele të vlrësimit të studentëve të UET është cilësia, në mënyrë që diplomat të jenë reale. "Shumë nga dyshimet, hamendjet apo pikëpyetjet e 8 viteve më parë, pothuajse nuk ekzistojnë më. Këto universitete po e krijojnë me dinjitet e rezultate të dukshme vendin e tyre në sistemin universitar shqiptar", - thotë Civici për universitetet private. Ai flet gjithashtu për ligjin e ri të arsimit të lartë, që kaloi pak ditë më parë në Kuvend si dhe për financimin e universiteteve.
Zoti Civici, keni kryer diplomimin e brezit të dytë të studentëve dhe na bën përshtypje që pas reklamës suaj, nga 321 studentë të vitit të tretë janë diplomuar vetëm 85. çfarë do të thotë kjo shifër?
Adrian Civici - Në thelbin e saj kjo shifër shpreh kërkesat rigoroze të stafit akademik të UET dhe të vetë filozofisë së tij, që në themel të vlerësimit të studentëve dhe diplomimit të tyre të jetë cilësia. Ne përpiqemi në çdo aspekt që diplomat tona të jenë sa më reale, që ato të reflektojnë jo thjesht informacion, por mbi të gjitha dije të qëndrueshme, aftësi të mira analitiko-kritike tek studentët, njohuri bashkëkohore të njëjta me ato të universiteteve prestigjioze perëndimore analoge. Sistemi ynë i provimeve, detyrave të kursit e esseve, apo i parë në një këndvështrim më të gjerë, realizimi i krediteve të kërkuara, bazohet vetëm në pasqyrimin real të aftësive e cilësive të studentëve, duke shmangur në të gjitha rastet formalizmin, neglizhencën, favoret e pamerituara, etj. Ne punojmë ngushtë me çdo student, që ai të avancojë në realizimin e studimeve të tij, duke kërkuar që në fund të procesit, si studenti, ashtu dhe universiteti, të jenë të bindur si në cilësinë e procesit mësimor-akademik, ashtu dhe në vërtetësinë e vlerësimeve. Besoj se këto janë "syzet" tona për të lexuar shifrat e mësipërme.
Në çfarë faze e shihni sot universitetin privat në Shqipëri, rreth 8 vjet nga licencimi i universitetit të parë privat, atij të Nju Jorkut?
A.Civici - Universitetet private janë sot një realitet shumë prezent, pasi në tërësinë e tyre kanë rreth 25-30% të studentëve shqiptarë. Shumë nga dyshimet, hamendjet apo pikëpyetjet e 8 viteve më parë, pothuajse nuk ekzistojnë më. Këto universitete po e krijojnë me dinjitet e rezultate të dukshme vendin e tyre në sistemin universitar shqiptar. Ato kanë marrë përsipër e po përballojnë me sukses programe të reja, po diversifikojnë diplomat e tyre, po kompletojnë stafet me pedagogë të kualifikuar nga universitete e institute me emër në shumë vende të botës, po hedhin hapa të mirë në zgjerimin e profilit të punës shkencore dhe botimeve, po avancojnë në modernizimin e infrastrukturës mësimore,etj. Natyrisht, siç ka operatorë performantë e joperformantë në sistemin publik, të tillë ka edhe në sistemin universitar privat. E rëndësishme është që në Shqipëri të realizohet sa më shpejt procesi i vlerësimit dhe klasifikimit të universiteteve, krahas zbatimit rigoroz të kërkesave të procesit të akreditimit. Kjo do të japë një pasqyrë reale të standardeve dhe cilësisë që ofrojnë universitetet shqiptare, qofshin këto publike apo jopublike.
Deri tani është krijuar ideja që universiteti privat thjesht ka përmbushur kërkesa të paplotësuara nga kuotat e kufizuara të universitetit publik, gjë e cila përmblidhet në klishenë (ata që nuk fitojnë në publik shkojnë në privat). A qëndron te universiteti juaj ky fenomen?
A.Civici - Kjo ide përkon pak a shumë me periudhën e fillimit të universiteteve private, ku ato lindën në radhë të parë si domosdoshmëri për krijimin e mundësive për studime universitare, të një mase të madhe gjimnazistësh, të cilët nuk gjenin vend në universitetet publike. Sot, situata ka ndryshuar, të paktën në UET. Nga statistikat tona rezulton se nga njëri vit në tjetrin janë shtuar shumë dy kategori studentësh, që vijnë në UET. Së pari, studentët me mesatare të lartë e shumë të lartë, të cilët zënë tashmë mbi 30% të totalit të regjistrimeve të reja të përvitshme, dhe së dyti, studentët që kanë si zgjedhje të parë direkt UET, duke evidentuar si shkak themelor të zgjedhjes së tyre "cilësinë e universitetit" dhe "përputhjen e diplomave të UET me preferencat profesionale të tyre". Tregues tjetër i rëndësishëm që flet në këtë drejtim, është dhe numri i konsiderueshëm i studentëve, që mbasi kanë mbaruar studimet e ciklit të parë, preferojnë të vazhdojnë po në UET ciklin e dytë, si dhe një numër i madh studentësh që vijnë në UET në vitet e ndërmjetme, pasi i kanë filluar studimet në një universitet tjetër privat apo publik.
Së fundi, ka kaluar sistemi i ri i diplomave. çfarë përfaqëson ky ndryshim për universitetin publik dhe për universitetin shqiptar në tërësi?
A.Civici- Sistemi i ri i diplomave, i sapo aprovuar në Parlament, në kuadrin e ndryshimeve të ligjit për arsimin e lartë, bën një afrim e përshtatje shumë të mirë të sistemit tonë, të ciklit të studimeve me kërkesat e "Kartës së Bolonjës" dhe përgjithësisht me sistemin universitar europian. Ne kalojmë në një sistem normal me 3 cikle studimi (cikli i parë, Bachelor 3-vjet dhe 180 kredite; cikli i dytë, Master Shkencor 2-vjet dhe 120 kredite, Master profesional 1-vjeçar ose 1.5 vjeçar me 60 dhe 90 kredite; cikli i tretë, Doktoratura me 3-vjet).
çfarë ambiciesh ka Universiteti Europian i Tiranës në lidhje me degë ose programe të reja studimi?
A.Civici - Në filozofinë dhe ambiciet akademike të UET mbizotëron ideja për të pasur një universitet sa më të qëndrueshëm e cilësor, në drejtimet e diplomimit dhe fushat e kompetencës e specializimit, çka nënkupton, se preferojmë të mos kemi shumë fakultetete, degë apo programe në emër të përqendrimit të energjive tek disa drejtime si ekonomia, financat dhe bankat, menaxhimi, e drejta civile, penale, evropiane e ndërkombëtare, e drejta administrative, shkencat sociale, gazetari, komunikim, marrëdhënie ndërkombëtare, diplomaci, etj. Ndërkohë, kemi bërë përgatitjet akademike e institucionale që në vitin e ardhshëm mësimor të ofrojmë studime edhe në degë të reja, të tilla si Informatika ekonomike, Marketing, Shkenca edukimi, Psikologji, Sociologji e Antropologji, Teknologji informacioni, Komunikim, Design, Histori.
Debati për sistemin e financimit po vijon, ndërkohë që paragjykimi për sistemin privat vijon ende sot. çfarë garancish i ofroni ju publikut si institucion dhe çfarë garancish mendoni se duhet të ofrojë sistemi privat në lidhje me cilësinë e diplomave dhe potencialisht përfshirjen në një sistem të ri financimi të mbështetur te studenti?
A.Civici - Sistemi i ri i financimit do të ketë si levë bazë të tij, pikërisht konkurrencën në kushte të barabarta të universiteteve, për të "thithur" sa më shumë studentë, në themel të së cilës duhet të qëndrojë cilësia dhe vlerësimi i performancës së universiteteve. Sipas optikës së kësaj reforme fondamentale, universitetet trajtohen e konsiderohen gjithnjë e më shumë si të mira publike, pa u ndalur në paragjykimet e sotme. Natyrisht, që aplikimi i këtij sistemi të ri financimi që realizon kalimin nga financimi i ofertës në financimin e kërkesës, pra studentit, do të kërkojë veç të tjerave edhe shndërrimin e universiteteve private në fondacione apo organizata me status jofitimprurës. Forcimi i rregullave të akreditimit, transparenca e tyre dhe sidomos realizimi sa më shpejt i vlerësimit dhe klasifikimit të universiteteve shqiptare, do të ishte garancia më e mirë, që jo vetëm sistemi priva,t por dhe ai publik do t'i jepnin studentëve.