Ruçi-Berishës: Je i rrëzuar,Kryeministri: Më bëni mocion
Aristir Lumezi
Seanca e djeshme parlamentare nuk i shpëtoi dot debatit politik rreth qeverisjes së vendit. Kryeministri Sali Berisha gjatë diskutimit për ndryshimet në buxhet deklaroi se maxhoranca është e konsoliduar dhe do të vazhdojë programin e saj. Ai ftoi opozitën se nëse i ka votat e saj të kërkojë mocion ndaj Qeverisë. “ç’është ky model që keni adaptuar zoti Ruçi. Unë jam kundërshtari juaj, unë kam nevojë për votat kundër të tuajat, ku i keni, jeni me kokrra apo pa kokrra. Më mirë është 64 vota kundër Sali Berishës, apo hiç vota kundër Sali Berishës. Si more dilni 64 deputetë burra dhe gra të nderuara sikur s’jeni dhe unë dal gjithmonë pa asnjë votë kundër. Përsa i përket votave të ftoj të bësh një mocion, po jeni pa kokrra mo zotëri, se ai që ju ka prurë ju këtu ju ka lënë pa kokrra. Prandaj s’bëni dot mocione ju, bëni mocion dhe provojeni. Bëjeni mocionin dhe unë ju vij nesër në mocion”, u shpreh Berisha. Nga ana e tij, kreu i grupit socialist Gramoz Ruçi e akuzoi Berishën si të sëmurë politikisht dhe theksoi se në fjalën e Berishës për ekonominë dëgjoi vetëm akuza ndaj deputetëve të PS dhe se nuk iu përgjigj akuzave të opozitës për korrupsionin në Qeveri. “Ti zoti Berisha je i sëmurë politikisht, ju bëni sikur nuk ka ndodhur gjë. Ne në këtë seancë të nisur 2 orë me vonesë vijmë pas një seance maratonë, për një problem të madh, ku sot vihet në diskutim qeverisja juaj, numrat tuaj. Sot ju jeni rrezuar politikisht, kjo është arsyeja”, u shpreh Ruçi. Sipas Ruçit, në prag të mbylljes së Parlamentit, kryeministri i ka lënë pa përgjigje të gjithë për krizën politike. “Po mbyllet Parlamenti, por ju përveç akuzave ndaj opozitës nuk i kthyet përgjigje as partnerëve ndërkombëtarë dhe publikut shqiptar nuk iu përgjigjët dhe i latë pa përgjigje rreth krizës politike”, u shpreh kreu i grupit të deputetëve të PS. Duke folur në Kuvend me tone disi të ashpra, kryeministri Berisha theksoi se në kuadrin e krizës evropiane Qeveria shqiptare vendosi të frenojë me çdo kusht rritjen e borxhit publik. Berisha e quajti skandaloze konstatimin e bërë sipas tij nga opozita, se rritja e pensioneve është veprim kriminal. “Ne shkurtuam shpenzimet dhe 45 milionë euro u përdorën për rritjen e rrogave dhe pensioneve të shqiptarëve. Më gjeni cili vend ka bërë këtë rritje të rrogave dhe pensioneve siç ka ndodhur në Shqipëri”, tha Berisha. Sipas tij rritjet nuk janë bërë për qëllime elektorale, por për qëllime të gjithanshme. Berisha theksoi se është dyfishuar fatura sociale për ndihmën ekonomike dhe invalidët. “Më mirë krijoni një komision hetimor dhe të shihni shifrat, por mos bëni nihilizëm si doktrinën tuaj”, tha Berisha. Nga ana e tij, Ruçi theksoi se ulja e buxhetit vjen nga mosrealizimi i të ardhurave dhe nga paaftësia qeverisëse e korrupsioni qeverisës. Sipas tij shqiptarët duan të ardhura në dorë, pasi deri më sot ata marrin 242 euro pagë mesatare në muaj, shifrën më të ulët në rajon. “E gjithë kjo situatë ndodh nga keqqeverisja juaj, sepse këtu po lulëzojnë monopolet, licencat dhe transaksionet korruptive”, u shpreh Ruçi.
Debati Berisha–Ruçi ne Kuvend
Sali Berisha: Duhet t’i kuptoni disa mekanizma se jeni milionerë dhe milionerët nuk kuptojnë gjë se çfarë kanë të tjerët. Jeni ulur në këto karrige si grupi i milionerëve dhe ndaj nuk ju duhet ekspertiza, sepse kur vjen puna për nota, komisioni qytetar me në krye Edi Ramën, atë që shkoi dhe u kthye nga Harvardi i jep pesë.
Gramoz Ruçi: Jemi po kaq të nderuar dhe të respektuar, që kemi një zonjë të nderuar siç është zonja Berberi, me plot tituj e grada shkencore, të mbaruar diploma jo me 5 dhe me 6 siç thoni ju. Jemi po kaq të nderuar me zonjën Seseri dhe po kaq të nderuar që ju shpeshherë zini në gojë disa deputetët tanë që qenkan milionerë. Po, e kemi për nder që i kemi ata. Dhe e kanë vënë pasurinë e tyre në mënyrë të ndershme. Në qoftë se keni qoftë edhe një dyshim tek ata, ja ku i kini ballë për ballë, shtetin e keni, institucionet i keni.
Sali Berisha: Në gjashtë mujorin e parë të vitit të kaluar janë eksportuar 41 miliardë mallra eksporti nga ky vend. Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2010 janë eksportuar 81 miliardë mallra. I them këto, sepse ka disa prej jush që dinë të bëjnë llogari dhe jo ata që dalin me kryetarin tuaj sepse tu nxjerrësh Shkëlqim Canin shqiptarëve është një lloj sikur tu nxjerrësh një dordolec ekonomik.
Gramoz Ruçi: Ne e kemi për nder që kemi në gjirin tonë ish guvernatorin e Shqipërisë, shumë të suksesshëm. Por është e pafalshme për ju përdorimi i epiteteve ndaj tij.
Sali Berisha: Si ka mundësi të ngrihen opozitarët e të thonë se rritja e pensioneve është veprim kriminal. Sa ka qenë fondi i pensioneve të vitin 2004, e ke pasur 50 miliard sa është sot 109 miliard. Si mund të ngriheni ju në këtë mënyrë për pensionet. I bëj thirrje çdo pensionisti shqiptarë të mbaj shënim pashpirtësinë tuaj.
Gramoz Ruçi: Përsa i përket asaj që ju thoni se ne trumbetojmë me të madhe se rritja e pensioneve qenka fatkeqësi, jo në atë kuptim që doni dhe ju pëlqen ta interpretoni ju. Rritja e pensioneve është qesharake, z.kryeministër. Rritja e pensioneve është qesharake për arsye se jetesa e tyre është shtrenjtuar në mënyrë galoponte.
Sali Berisha: Nuk ka njeri të përsosur, hiqeni nga mendja nuk ka Qeveri pa gabime hiqeni nga mendja, por të përpiqeni ta shndërroni suksesin e saj në hiç. Ju deputetë më thoni se po shkurtohet buxheti dhe po rriten rrogat. Në cilin vend po rriten rrogat në këtë shkallë. Cili nga vendet e botës ka bërë këtë rritje që po bën Qeveria ime për rrogat. Të nderuar zotërinj më mirë krijoni komision hetimor. Hajde merrni shifrat. Do ju japim çdo të dhënë që doni, por mos bëni nihilizmin si doktrinë tuaj, se në mënyrë absolute vetëm sa u zvogëlon çdo ditë.
Gramoz Ruçi: Keni një krizë ekonomike, kur ju e trumbetoni me të madhe se shqiptarët po hanë me lugë floriri. Nuk hanë shqiptarët përqindjet tuaja dhe të miat z. Berisha. Shqiptarët duan të ardhura në dorë. Ti dhe unë bashkë me ty, që kemi 20 vjet në politikë, u japim atyre 242 euro pagë mesatare, më e ulëta në rajon. 2 fishin e ka Maqedonia z. kryeministër. Pra një shqiptar në Shqipëri merr 242 euro, një shqiptar pse jeton në shtetin maqedonas merr 488 euro.
Sali Berisha: ç’ështe ky model që keni adaptuar zoti Ruçi. Unë jam kundërshtari juaj, unë kam nevojë për votat kundër të tuajat, ku i keni, jeni me kokrra apo pa kokrra. Më mirë është 64 vota kundër Sali Berishës, apo hiç vota kundër Sali Berishës. Si more dilni 64 deputetë burra dhe gra të nderuara sikur s’jeni dhe unë dal gjithmonë pa asnjë votë kundër. Përsa i përket votave të ftoj të bësh një mocion, po jeni pa kokrra mo zotëri, se ai që ju ka prurë ju këtu ju ka lënë pa kokrra. Prandaj s’bëni dot mocione ju, bëni mocion dhe provojeni. Bëjeni mocionin dhe unë ju vij nesër në mocion.
Gramoz Ruçi: Je i sëmurë politikisht për arsye se ju bëni sikur s’ka ndodhur gjë. Ne në këtë seancë, që e filluam dy orë me vonesë, vijmë pas një seance maratonë, të cilën jemi përplasur prej 4 orësh për një problem të madh, ku sot vihet në diskutim, qeverisja jote, numrat e tu. Thojani publikut shqiptar, që sot ju jeni në një krizë politike. Sot ju “de jure” jeni rrëzuar politikisht si Qeveri.
Sali Berisha: Ekonomia shqiptare do jetë në fund të këtij viti me rritjen më të madhe në Europë dhe dua ti gëzoj të gjithë. Ka një rritje dy shifrore transporti, ka një rritje dy shifrore tregtia, ka një rritje të paprecedentë eksporti. Ka po thuaj një barazi në fondet me të ardhurat nga eksportet “made in Albania” me të ardhurat nga materialet e importuara.
Gramoz Ruçi: Këtu ulja e buxhetit nuk bëhet për ato arsye që thatë ju, por bëhet nga 2 arsye kryesore, nga ulja e të ardhurave, nga mosrealizimi i të ardhurave. është vështirë të pyesësh shqiptarë sot dhe të dijë qoftë edhe emrin e Drejtorit të Doganave, se ka humbur. Pse? Sepse nuk ekziston informacioni nga tatimet apo nga doganat tuaja. Dhe e dyta nga paaftësia qeverisëse dhe nga korrupsioni qeverisës juaji.