Vlorë, pranga kryepërmbaruesit
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Arrestohet për korrupsion vetëm tri javë pasi u komandua si kryepërmbaruesi i Vlorës. Ernest Shimka, 28 vjeç, u prangos dje në zyrën e tij për korrupsion pasiv, pak minuta pasi i kishte marrë ryshfet një qytetari 1 milion lekë. Operacioni i koduar "Përmbaruesi", u realizua nga Policia e Vlorës, si dhe njësia e Task Forcës, në prokurorinë e këtij rrethi. Ata nisën hetimet rreth dy javë më parë, kur një qytetar u paraqit në prokurori për të denoncuar kreun e sapokomanduar të Përmbarimit, se i kishte kërkuar 1 milion lek. Sipas qytetarit, Shimka ia kishte kërkuar sasinë e parave për të vënë në lëvizje një vendim gjyqësor, për dëmshpërblimin nga një kompani sigurimi. Në bazë të ligjit do të përfitonte një shumë prej 22 milionë lekësh, pas një aksidenti që kishte pësuar. Qytetari, sipas policisë, kishte humbur disa aftësi normale të jetesës, ndaj kishte përfituar me vendim gjyqësor masën e mësipërme, si dëmshpërblim nga kompania ku ishte siguruar. Lajmi për arrestimin e përmbaruesit të Vlorës u bë zyrtar po dje nga drejtori i Policisë së Vlorës, Ylli Metko dhe prokurori i çështjes Maksim Sota. Mësohet se Ernest Shimka, punonte prej tre vitesh si inspektor në këtë institucion, por pak javë më parë ai ishte komanduar si kreu i saj. Sipas burimeve, qytetari me inicialet A.S., kishte kryer kallëzim ndaj 28- vjeçarit. A.S. kishte qenë pasagjer në një mjet që ishte aksidentuar disa kohë më parë, ku për pasojë kishte pësuar dëmtime fizike. Sikurse e parashikon ligji, ky person, në bazë të një vendimi gjykate duhej të dëmshpërblehet nga kompania siguruese, me një vlerë parash prej 22 milionë lekë të reja. Por, për të nisur procedura e zbatimit të këtij vendimi gjykate, e cila i dha të drejtën të lënduarit nga aksidenti për t'u dëmshpërblyer, vendimi duhej zbatuar nga zyra e Përmbarimit. Prej kohësh A.S. po tentonte të siguronte vënien në lëvizje të procedurës ligjore, kompetencë e zyrës Përmbarimore Vlorë, por nuk po kryhej asnjë veprim konkret. Ai u takua me kreun e Përmbarimit dhe diskutoi me të si mund ta ndihmonte për të marrë paratë e dëmshpërblimit. Sipas dëshmisë së dhënë në polici nga kallëzuesi, 28-vjeçari i ka kërkuar atij një shumë të konsiderueshme nga pjesa e dëmshpërblimit. Por pas negociatave ndërmjet tyre, ata kanë rënë dakord që Shimka të përfitonte një shumë prej 1 milion lekësh. Paratë do të jepeshin në zyrën e Përmbarimit. Dje qytetari ia ka dorëzuar ato, por policia kishte regjistruar numrat e serisë së tyre. Vetëm 5 minuta pasi qytetari ka dalë nga zyra e Përmbaruesit, policia ka hyrë në këtë zyrë duke kryer edhe një kontroll. Pas verifikimit të serisë së parave, ata i vunë prangat të riut. Kreu i Përmbarimit ka dalë nga institucioni që ai drejtonte me pranga në duar, duke lënë të shtangur edhe vartësit e tij.