E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria, e vetmja që s’e pranon krizën”



Deputetja e Partisë Socialiste, Rudina Seseri, tha dje në Kuvend gjatë diskutimit të buxhetit nen për nen, se qeveria është e vetmja, e cila nuk e pranon krizën që ka prekur vendin. Sipas saj, kjo situatë është konfirmuar edhe nga instituconet e rëndësishme ekonomike botërore. “Ju jeni të vetmit që nuk e pranoni krizën e rëndë të vendit. Ky është një realitet i konfirmuar në mënyrë të përsëritur nga institucione të specializuara ndërkombëtare, përfshirë edhe Bankën Europiane për Zhvillim, javën qe shkoi. Ky është një realitet që manifestohet tek ekonomia e pazhvilluar, bujqësia primitive dhe e neglizhuar plotësisht nga politikat publike, biznesi i frenuar dhe gati i falimentuar, eksportet e papërfillshme, keqmenaxhimi dhe shpërdorimi i fondeve publike, korrupsioni galopant”, - tha Seseri. Sipas saj “ky është një realitet që shfaqet në tkurrjen e aktivitetit ekonomik, pakësimin e të ardhurave, rritjen e papunësisë në nivelin më të lartë, që nga fillimi i vitit 2007 dhe në pamundësinë e rritjes reale të pagave dhe pensioneve. Dikush duhet t’ju shpjegoj juve konceptin e rritjes reale. Në thelb, Kryeministri tha se shqiptarët do të ecin nëpër tunele të shtrenjta, kurse paratë qeveria do t’i gjejë nga kursimi i karburantit dhe mospërdorimi i letrës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›