Berisha: Notat e deputetëve të PS
ADI SHKEMBI
Seanca e fundit e Parlamentit ka rezervuar veç sherrit mes deputetëve, Braçe e Maliqi, edhe momente ironie dhe batutash nga Kryeministri Berisha dhe disa prej deputetëve të selisë rozë. Gjithçka, sipas kreut të Qeverisë, e ka zanafillën në notat që kryetari i PS-së u ka vendosur deputetëve të tij gjatë debateve të fundit ekonomike e veçanërisht në seancën prej 13 orësh të zhvilluar një javë më parë, kur u diskutua rishikimi i buxhetit në parim. “Zonjën Seseri e zëvendëson me zonjën Berberi, kurse zonja Seseri mbetet si stoli, zonja Berberi mbetet si ekonomi. Unë ju respektoj, po mos më detyroni të flas. Tani do ta mbyll me këtë fjalë. Zoti Ruçi, dua të njoftoj se zonja Arta Dade është kualifikuar me notën 6.5, notën më të ulët e ka marrë zoti Arben Malaj, 5. Shtatë ka marrë zonja Seseri, se kaq i ve zonja Berberi, nuk e lartëson më shumë”, është shprehur kreu i Qeverisë. Por sipas tij, në fjalimet e deputetëve socialistë, kreu i opozitës ka veçuar disa prej tyre, të cilët i ka vlerësuar me nota të mira. “Zoti Agim Leka, star i vërtetë, ia ka kaluar dhe Fidelit 9.5, Shega, zonja Shegushe ka marrë 9.8 për meritën e vetme se ka lexuar fjalimin e kryetarit të PS këtu, bravo të uroj. Arta betohu ti se do rrëzosh Sali Berishën, por e vërteta është se do rrëzohesh rrugës 10 herë përpara se ta rrëzosh. Olta Xhaçka 9.3. Komandant ti nuk ke notë, ty nuk të vejnë se të kanë frikë”, vijoi më tej Berisha. Pasi përfundoi fjalimin, kreu i ekzekutivit u largua, megjithë insistimin e socialistëve që ai të qëndronte në seancë.
Reagimi i PS
Ndërkohë që kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli kërkoi të vazhdohej me miratimin e buxhetit nen për nen, deputetët e PS-së që, sipas Kryeministrit, kishin marrë vlerësimin e Ramës, kërkuan të drejtën e replikës. E para që shkoi në foltoren e Kuvendit, ishte Ermelinda Meksi, e cila u detyrua për pak sekonda t’ia linte vendin Rudina Seserit, që kërkoi me ngulm fjalën për të replikuar. Por Topalli i kërkoi deputetes së qarkut të Durrësit ta merrte fjalën pas Meksit. Pasi falënderoi Kryeministrin për komplimentet gjatë seancës, Seseri tha se “Unë nuk i njoh e nuk mund të komentoj për nivelin tuaj si mjek, por në ekonomi mbeteni një amator i dështuar që po çon vendin në dështim të plotë. Unë ju sugjeroj që përralla për arritjet e lavdishme, ju ti shkruani në kujtimet tuaja, siç bënte Enveri kur shkruante për kapitalizmin dhe Lindjen e Mesme”. Në të njëjtën kohë edhe Fidel Ylli, Arben Malaj, Shega Ligori, Agim Leka e Arta Dade, replikuan në distancë me kreun e Qeverisë, duke e akuzuar atë nga manipulimi i zgjedhjeve të 28 qershorit dhe deri te korrupsioni qeveritar.
Replikat e berishes me deputet e ps
Sali Berisha: Zonjën Seseri e zëvendëson me zonjën Berberi, kurse zonja Seseri mbetet si stoli, zonja Berberi mbetet si ekonomi. Zoti Ruçi, dua të njoftoj se zonja Arta Dade është kualifikuar me notën 6.5, notën më të ulët e ka marrë zoti Arben Malaj 5. Shtatë ka marrë zonja Seseri, se kaq i ve zonja Berberi, nuk e lartëson më shumë. Zoti Agim Leka, star i vërtetë, ia ka kaluar dhe Fidelit 9.5, Shega, zonja Shegushe ka marrë 9.8 për meritën e vetme se ka lexuar fjalimin e kryetarit të PS këtu, bravo të uroj. Arta, betohu ti se do rrëzosh Sali Berishën, por e vërteta është se do rrëzohesh rrugës 10 herë përpara se ta rrëzosh. Olta Xhaçka 9.3. Komandant, ti nuk ke notë, ty nuk të vejnë se të kanë frikë.
Rudina Seseri: Ndërsa e falënderoj Kryeministrin për të gjitha komentet personale që bëri, dua t’i rikujtoi atij se kriza ekonomike shqiptare është një realitet dhe është këtu. Unë nuk i njoh e nuk mund të komentoj për nivelin tuaj si mjek, por në ekonomi mbeteni një amator i dështuar, që po çon vendin në dështim të plotë. Unë ju sugjeroj që përralla për arritjet e lavdishme, ju t’i shkruani në kujtimet tuaja, siç bënte Enveri kur shkruante për kapitalizmin dhe Lindjen e Mesme. Mos harroni të flisni edhe për Alimuçajn dhe Riddell, të cilët ngjajnë aq pak sa ngjan Kryeministri me Marily Monroe. E vetmja temë për të cilën Kryeministrin mund ta ndriçojë Ministri i Financave.
Shega Ligori: Do të doja që të kisha Kryeministrin këtu të ulur dhe t’i thosha këtu se është njeri burracak. Tërë jetën time, për hir të së vërtetës kam marrë vetëm 10. Mbase mësoja shumë, mbase është çështje fati, por kjo është e vërteta. Besoj që së fundi kam qenë avokate e suksesshme, sipas këndvështrimit tim. E lashë për të hyrë në politikë, por një gjë dua t’u them gjithë shqiptarëve, se rastin e Kryeministrit dhe rastin e Qeverisë së tij, si avokate nuk do ta kisha marrë kurrë në mbrojtje sepse është një rast i pashpresë. Jam këtu si avokate e atyre njerëzve që s’kanë ç’të hanë në shtëpitë e tyre dhe jo ashtu si familja kryeministrore, ku njëra shton apartamentin, tjetri 200 mijë euro, apo ministrat që deklarojnë nga 1.8 milionë euro fitim.
Arta Dade: Unë dhe zoti Sali, këto dy javë jemi bërë gjysh, sigurisht jo për herë të parë. Mua çdo fëmijë që vjen në jetë më fisnikëron, më bën më të dhembshur për hallet e njerëzve dhe të reflektoj çfarë të ardhme kanë ata fëmijë që vijnë në jetë në Shqipëri. Kryeministrin, mesa duket një i ardhur rishtaz në jetë e paska luajtur nga fiqiri. Shpërthimi i tij sot këtu më ka bërë të jem krenare që 20 vitet e mia në politikë nuk do kishin kuptim, nëse s’do isha kundërshtare parimore me armikun më të madh të demokracisë dhe të shqiptarëve.
Fidel Ylli: Zoti Kryeministër, u përpoqe në ‘96 të shkatërroje biznesin tim “Bar ëest”, në një vend që nuk rrinin socialistë por këta ministra që janë sot pas meje, që ishin nga krijuesit e PD, por për një arsye diversiteti mendimi, u përjashtuan dhe gjetën strehë te Fideli si mik i tyre, jo thjesht si opozitar i yti. Nëse ke ndonjë gjë personalisht me mua, apo politikisht, sulmo sa të duash, biznesin tim lërë rehat se është një biznes krejt i ndershëm. Aty e ke kafen, aty i ke restorantet e mia dhe aty do t’i kesh. Kam dal sot të luftoj politikisht me ty, por të mos merrem as me nipërit as me mbesat e tua, dhe as me familjen tënde, nëse ata do t’i kenë bizneset dhe fitimet në mënyrë të ndershme, ashtu siç pretendoj t’i kem edhe unë.
Arben Malaj: Duket se Kryeministri nuk është shëruar tamam dhe zonja kryetare, si një nga figurat qendrore të shtetit, kujdesu pak për shëndetin e Kryeministrit. Unë e kam mundësinë note se jam i ri, problemi është me Kryeministrin e këtij vendi, që pasi kërkoi në 2005 të futej në përmirësim note, u kap në 2009 duke vjedhur. Unë mund të bëj përmirësim note për një diskutim në Parlament, problemi është që Kryeministri i vendit tim është kapur në provimin e maturës politike, duke vjedhur dhe ky është problem i madh. Si pedagog, ne e dimë që ata që kërkojnë përmirësim note janë njerëz ambiciozë, ata që kapen duke vjedhur quhen hajdutë.
Agim Leka: Unë 9.8 e kam marrë me djersën time në shkollë dhe e marr edhe tani, jam i zoti. Unë fjalimet jam i zoti t’i shkruaj vetë dhe nuk bëj hartime përgjithësisht dhe nuk i shkruan kryetari i partisë sime.