E Diel, 1 Nëntor 2026

Claudia Cardinale: Nuk e dija që kisha kaq fansa në Shqipëri

“Nuk e dija që kam kaq fansa këtu!", ishte fjala e parë e Claudias në Durrës. Edhe pse fama e saj kapërcen kufijtë e Europës, Claudia u shfaq modeste në momentin që shkeli në tapetin e kuq të festivalit të filmit në Durrës. E veshur mjaft elegante, me pantallona të zeza, një kanotiere që linte zbuluar një shpatull dhe një shall të zi, 72-vjeçarja ka shkëlqyer me sharmin e saj. Fansat e mbledhur para teatrit “Aleksandër Moisiu” janë entuziazmuar po aq sa ajo. "Ndihem e përkëdhelur që më doni" u shpreh ajo, ndërsa shoqërohej nga regjisori i ri Ali Ilhan, i cili e ka Cardinalen në kastën e aktorëve të filmit të tij të fundit “Të jesh italian me zonjën Enrika”. Ndërsa hynte në teatër, Claudia ka bërë foto dhe është shfaqur lozonjare para aparatit, duke pozuar dhe luajtur me erashkën e saj. Mes njerëzve që e pritën ishte dhe aktorja Tinka Kurti, e cila e komplimentoi aktoren për bukurinë. Por këtij komplimenti Claudia iu përgjigj me keqardhje se "eh tani jo më, jam plakur". Në ceremoninë e organizuar para premierës ballkanike të filmit, kryetari i bashkisë, Vangjush Ddako, i ka dhuruar asaj “Pjatën e Argjendtë”, simbolin e qytetit me motivacionin “Ikonë e Kinematografisë Botërore”. "Qenka shumë e bukur. Faleminderit për këtë pritje të bukur!" u shpreh aktorja ndërsa më tej u ndoq filmi i saj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›