E Diel, 1 Nëntor 2026

Timo Flloko: Takimi im i parë me Claudian, kur isha 14 vjeç

SHKRUAN: Ilda Lumani 01-09-2011 10:53

Ka lënë bashkëshorten, Verën, vajzën, Lindën, dhe dy nipërit e tij, David e Jonathan, për një takim mjaft të rëndësishëm. Atë me Claudia Cardinale-n! Për aktorin gjigant shqiptar Timo Flloko, thuajse më entuziast ka qenë takimi me ikonën e kinematografisë botërore, Claudia, sesa ajo me Francis Ford Coppola (pa e zvogëluar aspak kënaqësinë e takimit të tij me këtë të fundit)… Historia e njohjes së Timos me Claudian nis shumë herët… qëkurse ai ka qenë 14 vjeç. Ka qenë figura e saj që e ka bërë ta dashurojë e dëshirojë edhe më shumë kinemanë. Në këtë bisedë me Timon ai tregon ndërkaq vlerësimin që ka për Coppola-n, për të mëdhenjtë e kinematografisë shqiptare, Vangjush Furxhi e Llazi Serbo, për vlerën që ka marrë tashmë Festivali i Filmit në Durrës, për bashkinë e këtij qyteti, që është edhe organizatore e këtij aktiviteti ndërkombëtar dhe për rikthimin e vëmendjes së institucioneve të shtetit drejt tij…

Zoti Flloko, latë para kohe ShBA-të për Festivalin e Filmit në Durrës. Cila është ndjeshmëria juaj, jo si prezantues, por si aktor në këtë edicion të katërt?

E vërtetë, lashë Los Angelos-in për t’u kthyer 10 ditë përpara, për të ardhur në edicionin e katërt të Festivalit të Filmit në Durrës “International Film Summerfest Durrës” 2011. Komunikova me Anila Varfin, drejtoreshë artistike e Festivalit, një grua e pasionuar, që ka bërë një punë të lavdërueshme për vizionin e Shqipërisë dhe artit në Shqipëri. Është një festival prestigjioz. Unë edhe vitin e shkuar isha prezantues, e këtë herë lashë David-in, Jonathan-in, dy nipërit e mi, djemtë e Lindës, vajzës sime në Los Angelos, lashë Verën dhe atë kënaqësinë që kisha atje pranë familjes, për të qenë këtu. Ky festival padyshim është një realitet kinematografik europian nga përmasat, cilësia dhe misioni i vet, që e nderon veçanërisht qytetin e Durrësit, Epidamnusin e lashtë e të njohur edhe në botë. Më pëlqen ky festival për disa arsye: së pari për nivelin artistik, për filmat që sjell, për personalitetet dhe kineastët që vijnë në të, duke nisur që nga ikona e kinemasë jo vetëm italiane por edhe europiane e botërore, Claudia Cardinale; regjisori ose një nga më të mëdhenjtë e botës Francis Ford Coppola, - Filmi i tij “Kumbari” renditet në listën e parë të filmave të prodhuar si filmi më i mirë i të gjitha kohërave, - si dhe shumë personalitete si regjisori i shquar çek Jiri Menzel, regjisorin dhe filozofin polak Kryzystof Zanussi, Lech Majewski, producenti britanik Nick Powell, producenti dhe regjisori Jan Harlan, aktori Rade Serbedzija etj. Kjo do të ishte në një kuptim ajo gjë që mua më bën që të ndihem mirë në këtë festival, të bie në kontakt me kolegë, me artistë, me personalitete, të kem mundësi si të thuash të shkëmbej mendime e biseda për kinemanë, t’u bëj të njohur atyre, - si të gjithë kolegët e mi shqiptarë që nga presidenti i Jurisë, Dhimitër Anagnosti; anëtari i jurisë, Kujtim Çashku; e gjithë drejtuesit e bordeve artistike që janë present në festival; se çfarë është Shqipëria dhe në një farë mënyre t’u bëjmë të njohur kulturën e Shqipërisë.

Në natën e parë të çeljes së Festivalit iu dha Çmimi i Karrierës Artistit të Popullit Vangjush Furxhi. Ju përveç se keni punuar, keni pasur edhe miqësi me të, madje treguat edhe një episod kujtimesh për të…

Vangjushi ishte një aktor me një talent unikal, të jashtëzakonshëm si artist, pedagog shumë i mirë i aktrimit, euridit në fushën e teorisë së aktrimit dhe më shumë, njihte poezinë, muzikën, mbi të gjitha një njeri i jashtëzakonshëm. Ikja e tij ishte sigurisht tragjike, por ai la vepra të mëdha. Talenti i tij është i spikatur dhe përpos tij pata rastin në skenë të kujtoj edhe kolegun e tij, jo vetëm mikun tim, aktorin tjetër të shquar që iku tragjikisht nga kjo jetë, - ashtu e vendosi fati, - i cili ishte një aktor i mrekullueshëm, Llazi Serbo.

Ju treguat diçka, se rolet që linte Vangjushi i merrnit ju. Shumë të tjerë nuk do ta thonin, mos është një modesti pak e tepruar?

Ai ishte një realitet. Por nuk do të thotë se çfarë kam lënë unë nuk e kanë marrë të tjerët. Kjo “të lënët” nuk është ndonjë gjë. Ne aktorët, më ka thënë një herë Bekim Fehmiu, “ne jemi si magjypët, që rendim të gjejmë punë”. Dhe është normale. Kjo vihet re edhe në Amerikë sot, ku aktorët thonë “mora një punë” dhe ka një modesti të skajshme madje. Por nuk është puna që në qoftë se unë them se Vangjushi la një rol dhe e mora unë te “Lulëkuqet mbi mure”, që është një sukses për mua si aktor, apo Mato Gruda te “Njeriu me top”, që e ka lënë po Vangjushi, apo partizani Meço në filmin “Kur zbardhi një ditë”. Ky është një realitet, kjo nuk ma zvogëlon mua figurën si aktor. Veç të tjerave, unë jam fans i Vangjushit, për mua e them realisht e them se unë pëlqej më shumë Vangjushin, krahasimisht më shumë se Timon si aktor, kështu që kjo ishte normale. Arti i interpretimit te ne ka artistë të mëdhenj, por me këtë rast ai e meriton titullin dhe ishte një artist i rrallë.

Claudia Cardinale është një nga emrat e mëdhenj të të ftuarve në Festival. Mund të na tregoni njohjen tuaj me të?

Unë nuk do kisha ardhur në fakt nga Los Angelos-i. I them Verës që kam një kërkesë për të shkuar se vjen Francis Coppola dhe Claudia Cardinale në festival. Tha: “Vërtet Timo?”. Dhe i thashë, më kërkon Anila, por nuk po shkoj, është gjithë ajo rrugë, ndryshimi i orarit... por Vera më thotë “do shkosh patjetër. Mos e diskuto. Nuk ka gjë më të bukur se të takosh ata”. Dhe dhëndri im vazhdoi më tej: “do bësh një fotografi me Francis Coppola-n dhe ta firmosi për Jonathan-in dhe David-in, që të shohin gjyshin e tyre me Coppola-n”. Dhe kështu po bënim humor. Por të them të vërtetën, - jo më shumë se për Coppola-n sesa për Claudia Cardinale-n kisha dëshirë të vija. Ajo është padyshim një ikonë e kinemasë italiane dhe ëndrrat e mia për t’u bërë artist që në fëmijëri kanë qenë me këto ikona. Unë isha fëmijë dhe ishte nga ato personazhe që në mënyrë instiktive mbyllje sytë dhe bije në dashuri me të. Madje, edhe sot ndodh kështu. Claudia Cardinale, Gina Lollobrigida, Brigitte Bardot ishin ikona të kinematografisë. Takimi im i parë me Claudia-n, nëse do ta cilësoja kështu në mënyrë figurative, unë nuk e kam takuar kurrë, do ta takoj sot (dy ditë më parë) në aeroport, kur të shkoj ta pres, - dhe kam emocione madje, - ka qenë shumë i bukur. Unë jam rritur në qytetin e Vlorës, fëmijëria ime kaloi atje, nga mosha 8-vjeçare e lart. Isha shumë i apasionuar pas filmave dhe në atë kohë shfaqej “Kartushi” në kinema. Ishte një film sukses në atë kohë, e madje edhe në filmat e Claudia-s cilësohet si një nga filmat e saj të mirë, ku Cardinale luan krah Zhan Pol Belmondo-s. Në kinema nuk lejoheshin fëmijët nën 16 vjeç. Unë mund të kem qenë 14-15 vjeç dhe nuk mund ta shikoja filmin. Me një shokun tim, zakonisht në seancat e vona të filmit në kinemanë verore të qytetit (që sot nuk ekziston më pasi është bërë shkolla “Ali Demi”, dhe u këput ajo lloj nostalgjie për ne) ne gjenim një shteg, kapërcenim murin dhe futeshim poshtë stolave të kinemasë dhe kur niste filmi dilnim dhe shihnim filmin. Madje, me frikë të madhe, se kishim frikë se mos na kapte Qaniu prej veshi e na nxirrte jashtë.

Kështu që hymë fshehurazi dhe u mahnitëm sigurisht. Edhe thashë, ah ky Kartushi… e ëndërronim sikur të isha unë një Kartush… kështu që ka një dashuri virtuale për këto lloj ikonash.

Çfarë do t’i thoni kur ta takoni? Do t’ia tregoni këtë rrëfenjë?

Po, këtë do t’ia them. Do të doja t’ia thoja shkurt sigurisht. Nuk e njoh si natyrë, por di që ka një personalitet të jashtëzakonshëm, jo vetëm në planin artistik, por edhe në planin human, ajo ka mbrojtur të drejtat e njeriut në shumë drejtime, lëvizjen feministe etj. Sigurisht që Kartushi ishte filmi i saj i parë që kam parë, por më tej kam parë edhe suksese të tjera, si “Leopardi”, “8½”, të Felinit, etj. etj. Ajo ka një filmografi të madhe titujsh. Duke kaluar sot nëpër duar shikoj ca filma që unë nuk i kam parë të gjithë dhe mahnitem. Ajo është një nga ikonat e kinematografisë e renditur në një anketë si e shtata femër në botë për bukurinë. Dhe do t’i them Claudia “kohët janë të ndryshme, por koha është një koncept, koha nuk ekziston”. Te libri që po shkruaj tani kam një poezi për Marilyn Monroe, sesi koha nuk ekziston dhe njerëzit takohen e dashurohen me të në çdo kohë. Unë edhe pse nuk e kam takuar më parë Claudia-n e kam parë, jemi takuar në ëndrra… Kjo ka qenë Cardinale për mua, një dashuri artistike e skajshme, ëndërrore.

Po takimin me Coppola-n, me çfarë lloj entuziazmi e prisni?

Sigurisht, një gjigant si ai, një luan i kinematografisë botërore, ai krijoi bashkë me George Lucas në San Francisko kinematografinë e tyre dhe u duk sikur i bënë sfidë Hollivudit atëhere. Dhe “Kumbari”, që ai e xhiroi në moshë të re fare atëherë, romani i Mario Puzo-s, u bë shumë i famshëm, i rritën buxhetin e filmit e madje menduan të mos ia jepnin Coppola-s. Unë kam përkthyer librin e Marlon Brando-s dhe kam lexuar shumë materiale që lidhen me Brando-n, i cili luajti rolin e Vito Corleone-s te “Kumbari”, dhe ky film është një nga tre më të njohurit e Brando-s. Dhe Coppola po t’ia zësh atë në gojë nuk e ka qejf, është si puna e Kadaresë që nuk ka dëshirë t’i flasësh për veprat e tij më të mëdha, se është gjeni dhe do të flasë për gjërat aktuale. Por e vërteta është dhe nuk do lodhem ta them, që dielli nuk mbulohet me shoshë, “Kumbari” është një film tipik i shoqërisë amerikane të asaj periudhe, i komunitetit italian që jetoi në Amerikë atëherë, historia e mafies, tragjedia e një realiteti lakuriq. Dhe maja më e lartë e përfaqësimit aktorial në kinema të Marlon Brando-s është Vito Corleone, në “Kumbari 1”. Unë kur po lexoja emrat, madje nuk po e besoja që do të vijë ky personalitet dhe të tjerët, edhe pse e di që do të vijë më duket kaq e pabesueshme. Është një çudi, është një “uaau”, është e pabesueshme. Nuk u besoja syve kur lexoja emrat që janë që nga Coppola, Jan Harlan, Nick Powell, Jiri Menzel etj., të gjithë personalitete të mëdhenj. Është një event i konsiderueshëm dhe nuk duhet nënvleftësuar. Tashmë është kthyer në një traditë të mrekullueshme kinematografike.

A ka marrë vëmendjen e duhur dhe a është vlerësuar si duhet në Shqipëri tashmë ky festival?

Ai ka marrë tashmë vëmendjen e duhur nga spektatori, nga grupi organizues, këtu ka bërë punë të madhe Anila dhe padyshim duhet nënvizuar kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili është një promotor dhe mbështetësi kryesor i këtij festivali, ambasada amerikane dhe turke që kanë dhënë një mbështetje të madhe, si dhe sponsorët. Por do të thosha që më shumë vëmendje duhet të ketë nga shteti sot, veçanërisht ky lloj festivali, të mos mbetet në kuadrin e një festivali lokal, sepse nuk është lokal. Ai mbahet në Durrës, por është ndërkombëtar, është si një Kanë, si një Karlovy Vary, që janë qytete të vogla dhe zhvillohen festivale të mëdhenj. Duhet medoemos të mbështetet. Jo se nuk është mbështetur moralisht, por duhet edhe financiarisht. Në fakt personalitetet që do të jenë këtu, Coppola dhe Claudia, do të kenë takime edhe me burrat e shtetit shqiptar dhe kjo është gjë pozitive. Sigurisht edhe ata nuk mund të jenë indiferentë ndaj këtyre personaliteteve, madje edhe janë fansa shumë të mirë të tyre si presidenti i Republikës, Bamir Topi edhe kryeministri Sali Berisha, me të cilët do të ketë takime.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›