Hoxhaj merr mbështetje nga pesë vendet e BE-së
Ministri Hoxhaj në takime të ndara me përfaqësues dhe deputetë të pesë shteteve të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës i ka informuar ata për reformat e brendshme dhe për procesin e shtetndërtimit në Republikën e Kosovës.
Me këtë rast, Ministri Hoxhaj ka theksuar se pavarësia e Kosovës ka sjell paqe, stabilitet dhe siguri në Ballkan dhe Evropë. Hoxhaj po ashtu ka shtuar se pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, asnjë vend nuk ka arsye legale që ta shtyjë vendimin për njohje formale të saj.
“Njohja e Kosovës ka sot një gjeografi globale dhe forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës është një proces i pakthyeshëm”, tha Ministri i Jashtëm i Kosovës.
Nga ana tjetër, përfaqësues të këtyre pesë shteteve, kanë siguruar Ministrin Hoxhaj se do ta mbështesin fuqishëm perspektivën evropiane të Kosovës në të gjitha etapat e zhvillimit të saj.
Ata kanë vlerësuar progresin e vazhdueshëm që ka arritur Republika e Kosovës në vitet e fundit si faktor i paqes dhe stabilitetit në Ballkan.
Ministri Hoxhaj ka zhvilluar po ashtu një takim me Elmar Brok, Kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian.
Në këtë takim është diskutuar për perspektivën evropiane të Kosovës, për reformat që janë ndërmarr në përmbushjen e kritereve të BE-së, si dhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim.
Ministri Hoxhaj ka kërkuar nga Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian që të mbështesë edhe më fuqishëm aspiratën e dy milionë kosovarëve për lëvizje të lirë në zonën Schengen dhe për fillimin sa më të shpejtë të Studimit të Fizibilitetit, si parakusht për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.
Nga ana tjetër, Elmar Brok, Kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian ka siguruar Ministrin Hoxhaj se ky Komision do të jetë një zë i fuqishëm brenda Parlamentit Evropian për një perspektivë të qartë evropiane të Kosovës.
Ministri Hoxhaj gjatë ditës do të takohet edhe me Joseph Daul, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partive Popullore, me Hannes Swoboda, Kryetar i Grupit Parlamentar i Aleancës Progresive dhe Socialdemokratëve.
Deri në mbrëmje, Ministri Hoxhaj do t’iu drejtohet anëtarëve të Grupit Panevropian, që vepron në kuadër të Grupit Parlamentar të Partive Popullore në Parlamentin Evropian.