E Shtunë, 31 Tetor 2026

Clinton: Dhuna nuk ka vend në fe

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, i ka dënuar me forcë protestat e dhunshme javën e kaluar në disa pjesë të botës myslimane.

"Dhuna nuk ka vend në fe dhe nuk është mënyrë për të nderuar fenë. Islami, ashtu si fetë e tjera, respekton dinjitetin themelor të qenieve njerëzore, dhe kryerja e sulmeve ndaj njerëzve të pafajshëm është shkelje e dinjitetit themelor", tha ajo.

Clinton e quajti "të pështirë dhe të dënueshme" videon anti-islamike që qarkullon në internet. Ajo theksoi se "qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ka absolutisht asnjë lidhje me këtë video". Sekretarja Clinton pohoi gjithashtu se është e vështirë për disa njerëz të kuptojnë "pse Shtetet e Bashkuara nuk munden thjesht të parandalojnë këto video të dënueshme që dalin ndonjëherë."

"Në botën e sotme, me teknologjitë e sotme - kjo është e pamundur. Por edhe nëse do të ishte e mundur, vendi ynë ka një traditë të gjatë të shprehjes së lirë, e cila është mishëruar në Kushtetutën dhe ligjin tonë. Dhe ne nuk do të ndalojmë qytetarët të shprehin pikëpamjet e tyre pavarësisht se sa të pakëndshme mund të jenë ato", tha Clinton.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›