Clinton: Jahjaga, inspirim për femrat në rajon

(E plotësuar) Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton i ka dërguar një mesazh urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e zgjedhjes së saj në krye të vendit.
"Urime për zgjedhjen Tuaj si Presidente e Republikës së Kosovës. Si femra e parë udhëheqëse e shtetit në hapësirat e ish-Jugosllavisë, udhëheqja e Juaj pa dyshim do të inspirojë gra dhe vajza në tërë regjionin dhe do t’i tregojë tërë botës vlerat demokratike dhe tolerancën që shteti Juaj i ri i ka përqafuar", thuhet në telegramin e urimit.
Më tutje Clinton shprehet se e kujton me dashuri takimin me Jahjagën, në Prishtinë vitin e kaluar. "Me padurim pres që të punoj me Ju në përmirësimin e rolit të femrës në regjionin e Ballkanit dhe të vazhdojmë përpjekjen tonë të përbashkët për të forcuar qeverisjen e Kosovës, që ta vendosim sundimin e ligjit në tërë shtetin dhe ta zgjerojmë njohjen ndërkombëtare të Kosovës".
Mbretëresha e Holandës uroi presidenten Jahjaga
Mbretëresha e Holandës, Beatrix R. i ka dërguar një mesazh urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
“Me rastin e zgjedhjes suaj si Presidente e Republikës së Kosovës, Ju dërgoj urimet më të mira dhe ju dëshiroj sukses në kryerjen e kësaj detyre shumë të lartë”, shkruan në urimin e saj Mbretëresha Beatrix R.
Mesazhin e urimit, presidentes Jahjaga ia ka përcjellë ambasadori i Holandës në Republikën e Kosovës, Robert Bosch, i cili përsëriti edhe një herë përkushtimin e vendit të tij për vazhdimin e përkrahjes për vendin tonë dhe zgjerimin edhe më tej të marrëdhënieve shumë të mira ekzistuese mes të dy vendeve tona, thuhet në një komunikatë të Presidencës.
Presidentja Jahjaga falënderoi ambasadorin Bosch për urimin e Mbretëreshës dhe theksoi se Kosova është falënderuese për ndihmën që Holanda i ka dhënë vendit tonë.
Ajo gjithashtu theksoi se Kosova ka nevojë për ndihmë, sidomos në fazën në të cilën ndodhet tani, kur ka nevojë për shtimin e numrit të njohjeve, por edhe për anëtarësimin sa më të shpejtë në institucionet ndërkombëtare.