Shtrenjtimi i ushqimeve thellon varfërinë
Çmimet e ushqimit kanë shënuar rritje 36 për qind vitin e kaluar, duke shtyrë më shumë njerëz në varfëri ekstreme, ka njoftuar të enjten Banka Botërore.
Presidenti i BB-së, Robert Colik ka kërkuar më tepër angazhim në mbrojtjen e njerëzve të varfër kundër rritjes së çmimeve të ushqimit. Që nga qershori i vitit 2010, sipas të dhënave të BB-së, 44 milionë njerëz jetojnë më me pak se 1.25 dollarë në ditë për shkak të çmimeve të larta të ushqimit.
Çmimi i misrit ka shënuar më së shumti rritje prej 74 për qind që nga viti i kaluar, pasuar nga gruri me 69 për qind.
Nëse çmimet vazhdojnë të rriten, më tepër njerëz rrezikojnë të zhyten në varfëri, paralajmëron Banka Botërore.
Një ngritje e re prej 10 për qind e çmimeve të ushqimit mund të zhysë 10 milionë njerëz të tjerë në varfëri, ndërsa një rritje prej 30 për qind rrezikon që drejt varfërisë të çojë 34 milionë të tjerë.