Ridizajnimi i Qeverisë pas kthimit të Thaçit
_[]_468596_thumb_large.jpg)
Largimi i Behgjet Pacollit nga posti i presidentit, ka bërë që të rritet fuqia e Koalicionit për Kosovë të Re në ekzekutiv. Megjithatë, marrja e këtyre përgjegjësive të reja nga AKR-ja dhe partnerët e saj, mbetet të bëhet pas kthimit të kryeministrit Hashim Thaçi dhe një pjese të kabinetit të tij nga Bullgaria, ku kanë shkuar për ta hartuar programin qeverisës.
Drejtues të AKR-së besojnë se çështja e ridizajnimit të kabinetit qeveritar do të ndodhë menjëherë pas kthimit të kryeministrit nga Bullgaria.
“Nuk i kemi biseduar, për shkak se një pjesë e ekzekutivit është jashtë vendit dhe natyrisht duhet të pritet kthimi i tyre në vend, për të pas një kontakt të drejtpërdrejtë për këtë çështje. Ne në parim jemi pajtuar me kryeministrin dhe zyrtarët tjerë të PDK-së, që AKR-së tashmë t’i takojnë edhe dy ministri, plus ato që kanë qenë, sikurse të ketë edhe pozitat e tre zëvendësministrave. Unë besoj që me kthimin e tyre në Kosovë edhe kjo çështje do të përmbyllet në mënyrë që të kompletohet Qeveria”, ka thënë për Kosovapress, ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Ibrahim Makolli.
Partia që para pak kohësh në formë kërcënuese paralajmëroi PDK-në se mund të dalë nga koalicioni qeverisës, tani nuk ka as kushte për përbërjen e re të kabinetit qeveritar.
Makolli nuk e fsheh preferencën e AKR-së që të ketë nën drejtim dikasteret që kanë ndërlidhje me sektorin e ekonomisë, mirëpo thekson se ky nuk është kusht, por është një vullnet i mirë i AKR-së për të drejtuar ato ministri, në të cilat mund të jap kontribut.
“Ne kemi theksuar se jemi të interesuar që të udhëheqim ato dikastere ku ne mendojmë se kontributi ynë do të ishte më i madh, duke u mbështetur në programet, në veçanti në fushën ekonomike. Por kjo në asnjë rast nuk do duhej kuptuar si kusht, por si një vullnet të mirë tonin për të dhënë një kontribut më të madh në këto fusha, ku kemi programe të qarta. Përndryshe qeveria është një dhe pavarësisht se nga cili subjekt politik apo individ udhëhiqen dikasteret, qeveria është një dhe duhet të veprojë si pjesë e përbashkët e saj dhe jo si pjesë të shkëputura të dikastereve”, ka thënë Makolli.
Me marrëveshjen e mëhershme, AKR-ja, përkatësisht Koalicioni për Kosovë të Re kishte 3 ministra dhe parashihej të kishte 5 zëvendësministra, ndërkaq me marrëveshjen e re, AKR-ja do të ketë edhe 2 ministra të tjerë dhe 3 zëvendësministra. Ndërkohë, kjo parti zotëron tani edhe dy poste zëvendëskryeministri. Mimoza Kusari-Lila kishte marrë postin e zëvendëskryeministres për ekonomi me marrëveshjen e parë, ndërkaq Behgjet Pacolli është emëruar ditë me parë nga kryeministri Thaçi, zëvendëskryeministër i parë për marrëdhënie ndërkombëtare dhe për investime të huaja në Kosovë. /kosovapress/