Çeku dhe Buhler vizituan Dragolevcin
Komandanti i KFOR-it, gjeneral Erhard Buhler ka deklaruar se qëllimi i tij është që në të ardhmen t’i kalojë sa më shumë detyra dhe përgjegjësi te Forca e Sigurisë së Kosovës.
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, i shoqëruar edhe nga komandanti i Komandës së Forcës Tokësore të FSK-së gjeneral Rrahman Rama si dhe komandanti i KFOR-it gjenerali Erhard Buhler, vizituan fshatin Dragolevc të Komunës së Istogut.
Delegacioni i lartë i MFSK-së dhe KFOR-it fillimisht vizituan disa familje të kthyera, ku u njoftuan nga banorët për jetën e tyre të re dhe më pastaj vizituan ekipet mobile mjekësore të FSK-së, të cilët në kuadër të bashkëpunimit civilo-ushtarak po u ofrojnë asistencë mjekësore çdo javë komunitetit serb të kthyer, i cili aksion është duke u zhvilluar që nga viti i kaluar dhe do të vazhdojë edhe më tej.
Ministri Çeku me këtë rast u shpreh se, ky aktivet dëshmon se FSK-ja është gjithmonë pranë qytetarëve pa dallime të përkatësisë etnike e fetare, se FSK-ja po e ndihmon qeverinë për procesin e kthimit dhe e gëzon fakti se më çështjet e sigurisë për të kthyerit nuk paraqesin problem serioz.
Në emër të banorëve për ndihmën e rregullt të FSK-së dhe të KFOR-it u falënderua banori fshatit, Misha Raiçiçi.
Komandanti i KFOR-it gjenerali Ehard Buhler, u shpreh se këto aksione humanitare janë shembull i bashkëpunimit të mirë mes komuniteteve dhe institucioneve të Kosovës, kurse shprehu kënaqësinë me të arriturat e FSK-së në ushtrimin e demonstruar gjatë një trajnimi në ambientet e kazermës së FSK-së në Istog.
Duke çmuar lartë punën e FSK-së ai tha, se synimi i tij është që t’i kalojë sa më shumë detyra dhe përgjegjësi te kjo forcë në të ardhmen, njofton Ministria e Forcës së Sigurisë.