Clinton dhe Rasmussen refuzojnë një iniciativë çarmatimi
Sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen refuzuan një nismë të Gjermanisë dhe vendeve të tjera më të vogla, anëtare të NATO-s, që bën fjalë për tërheqjen e armëve atomike taktike amerikane nga Europa. "Një pakësim i këtyre armëve është i mundur vetëm në qoftë se do të ketë një marrëveshje me Rusinë", tha Clinton gjatë konsultimeve të ministrave të jashtëm të Aleancës në kryeqytetin e Estonisë, Talin. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle kishte deklaruar pas marrëveshjes së re të çarmatimit "START", se ka ardhur koha që çarmatimi të avancojë. Clinton e vuri theksin tek fakti se tërheqja e armëve bërthamore amerikane të cilat ndodhen në territorin europian do të ndodhë sipas një marrëveshjeje më Rusinë dhe pas negociatave me moskën. "Synimi ynë është që të arrijmë me Rusinë një marrëveshje për një transparencë më të madhe të materialeve bërthamore para tërheqjes sonë strategjike nga Europa", deklaroi Clinton.
Clinton theksoi se e ardhmja e armëve bërthamore amerikane në Evropë duhet të përcaktohet nga NATO-ja si tërësi dhe jo thjesht nga Shtetet e Bashkuara.
Ajo shtoi se për sa kohë të ekzistojnë armët bërthamore, NATO-ja mbetet një aleancë me fuqi bërthamore. Në territorin europian ndodhen 240 bomba atomike amerikane të vendosura që nga Lufta e Ftohtë, pjesa më e madhë e tyre falë krizës së Berlin.