Tajlandë, viktima e të plagosur nga shpërthimi në Bangkok
Të paktën tre të vdekur dhe 70 të plagosur është bilanci i viktimave dhe të lënduarve si pasojë e disa shpërthimeve që u regjistruan në qendrën tregëtare të Bangkokut gjatë orëve të fundit, ku u zhvilluan protesta të dhunshme ndërmjet manifestuesve pro qeverisë dhe "këmishkuqve", besnikë të ish kryeministrit Thaksin Shinauatra. Statistikat u bënë të ditura nga zv kryeministri Thaugsuban. "Granatat kanë patur nje rreze veprimi deri në 400 metra", shtoi i njëjti burim "dhe është e qartë se janë hedhur nga kampi ku protestojnë këmishat e kuqe", vijoi zv kryeministri. Ndërkaq protestat në përkrahje të ish kryeministrit nuk kanë reshtur prej javësh tashmë ndërsa në 10 prill, dhuna që përfshiu manifestimet, shkaktoi 25 të vdekur e 800 të plagosur. Por ndërkaq pas shpërthimeve me granata, gjatë natës një person i katërt ka humbur jetën si pasojë e përplasjeve dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur. Qeveria tajlandeze fajëson "terroristët" pa emër për shpërthimet që vranë dhe plagosën protestuesit në Bangkok. Ndërsa mëngjesin e së premtes qindra policë kaluan rrugën kryesore për t'u përballur më "këmishët e kuqe", të cilët protestojnë kundër qeverisë. Por vetëm pak momente më pas policia është tërhequr nga konfrontimi dhe protestuesit ranë dakord për të lëvizur nga barrikadat e tyre. Kombet e Bashkuara dhe SHBA-ja kanë kërkuar nga partitë në konflikt në Tajlandë që t'i shmangen dhunës. Një zëdhënës i OKB-së tha se si demonstruesit edhe autoritetet duhet të evitojnë dhunën dhe viktimat dhe t'i kthehen dialogut.