E Shtunë, 31 Tetor 2026

Clinton i premton ndihmë Meksikës

Delegacioni i lartë amerikan, i kryesuar nga Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, u zotua se do të shtojë përpjekjet e përbashkëta, në luftën kundër karteleve gjithnjë e më të fuqishme të drogës në Meksikë.

“Nuk ka dyshim se këto kartele po luftojnë kundër dy qeverive tona”, tha Clinton në Mexico-City.

Tri vrasje të reja në luftën ndërmjet karteleve të drogës u raportuan në qytetin Ciudad Juarez, në momentin kur zyrtarët meksikanë po vazhdonin bisedat me anëtarët e delegacionit amerikan, përfshirë këtu edhe Sekretarin amerikan të mbrojtjes, Robert Gates, shefin e shtabit të bashkuar të shefave të ushtrisë amerikane, admiralin Mike Mullen dhe Sekretaren amerikane për siguri të brendshme, Janet Napolitano.

“Ne po bashkëpunojmë mes vete për të zgjidhur problemin, të cilin e paraqesin kartelet kriminale, të cilat kanë mbushur rrugët e qyteteve tuaja dhe tona”, theksoi Clinton.

Meksika është kapluar nga dhuna, që nga koha kur presidenti i Meksikës, Felipe Calderon, filloi fushatën kundër karteleve të drogës, pas ngritjes së tij në pushtet në vitin 2006.

Më shumë se 15 mijë njerëz janë vrarë që nga ajo kohë, si rezultat i dhunës së ushtruar nga kartelet e drogës, në veçanti në brezin kufitar me SHBA-në.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›