E Shtunë, 31 Tetor 2026

Clinton takon presidentin kinez Zhintao

Sekretarja amerikane e Shtetit Hilari Klinton është takuar me Presidentin kinez Hu Zhintao në Pekin. Klinton i ka sjellë Presidentit kinez Zhintao një mesazh nga Presidenti i ri amerikan Barak Obama. "Ju sjell përshëndetjet personale të Presidentit Obama. Ai është shprehur shumë i gëzuar nga biseda që ju keni pasur, dhe pret që të takoheni në samitin e G20-ës në Londër", është shprehur Klinton përpara liderit kinez. Takimi u pasua pas bisedimeve të Sekretares amerikane të Shtetit me kryeministrin e Kinës Uen Zhiabao, si dhe pas një axhende të ngjeshur me takime me liderë të ndryshëm të shtetit kinez. Pas takimit me homologun e saj, ministrin e Jashtëm Jang Jeçi, Klinton deklaroi se Shtetet e Bashkuara dhe Kina mund ta tërheqin botën, për ta nxjerrë nga kriza ekonomike duke punuar së bashku, si dhe duke e bërë të qartë se shqetësimet e SHBA-së mbi të drejtat e njeriut në Kinë, duhet të jenë prioritare. Në vizitën e saj të parë në Kinë si Sekretare Shteti, Klinton ndoqi një linjë të butë në lidhje me liritë politike dhe fetare në Kinë, ndërkohë që në një fjalim të mbajtur në Pekin në vitin 1995, ajo kritikoi haptazi qeverinë kineze mbi të drejtat e njeriut. Klinton ka sugjeruar përpjekje të përbashkëta për të arritur rritje ekonomike në një kohë shumë të vështirë krize globale si kjo aktualja. Ajo gjithashtu bëri thirrje për bashkëpunim në cështjen e ndryshimeve klimatike dhe sfidave të sigurisë bërthamore, që rrezikohen nga programet nukleare të Koresë së Veriut. Në ndalesën e saj të fundit të turit aziatik, pas vizitave në Japoni, Indonezi dhe Kore të Jugut, Klinton ka theksuar se ekonomitë e Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë shumë të ndërthurura me njëra-tjetrën. SHBA-të janë një nga blerëset më të mëdha të mallrave të eksportuara nga Kina.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›