Clooney në Havai
Koshi i basketbollit në parkimin e “CompUsa”, dyqani gjigant elektronik i shndërruar në studio kinematografike është shenja e parë që George Clooney duhet të jetë diku këtej rrotull. “E bëj për të hequr ndonjë kilogramë. M’u desh të shëndoshesha për të xhiruar këtë film”, thotë George Clooney, i veshur me një këmishë havaiane dhe çorape bezhë, teksa buzëqesh gjatë një xhirimi. Aktori ndodhet në Honolulu, ku po përfundojnë xhirimet e filmit “The Descendants”, që pritet të dalë në kinema për Krishtlindje, i drejtuar nga Alexander Payne, i cili e ka përshtatur skenarin nga një roman i shkrimtares hauaiane Kaui Hart Hemmings. Romani, thonë të gjithë, që nuk është ndonjë gjë kush e di se çfarë, madje vetë Payne kishte refuzuar shumë herë para se të bindej nga producenti Jim Burke për ta rishkruar. Pas pranimit të Clooney ai nuk u lodh fare për të gjetur financimet (23 milionë dollarë, një buxhet modest në botën e prodhimeve hollivudiane) nga “Fox Searchlight”. “Kam lexuar skenarin e Payne, jo romanin dhe u binda menjëherë që ishte një histori e bukur”, tregon Clooney për filmin e parë të vërtetë, në rolin një personazhi që qan, vuan, dëshpërohet. “Kësaj here e ka ‘Oskarin’ të sigurt”, komentojnë ata të trupës së xhirimit. Në “The Descendants”, Clooney është Matt King, një njeri i zakonshëm që punon tokën, por që papritur gjendet përpara një kthese dramatike të jetës: gruaja Elisabeth, shumë e dashur dhe e mirë pëson një aksident dhe bie në gjendje kome të pakthyeshme. Matt gjendet i vetëm me dy vajzat rebele dhe aspak të dashura, Alexandra, 16 vjeçe, dhe Scottie 12 vjeçe, si dhe përpara vendimit t’i heqë apo jo spinën makinerisë që ushqen artificialisht bashkëshorten apo të shesë tokën e trashëguar nga familja. “Ka skena shumë të dhimbshme në film. Pak ditë më parë xhiruam një skenë ku duhet t’i thoja vajzës së vogël që duhej ta hidhnim në det pluhurin e trupit të së ëmës dhe ajo që nuk e dinte, më pyet se nëse dhe sytë e së ëmës do të shndërroheshin në hi. Si t’ia shpjegosh një fëmije diçka të tillë. Unë nuk kam fëmijë dhe nuk më është dashur kurrë të merrem me ta, përveçse te filmi “E.R”. Një personazh të tillë nuk e kisha interpretuar më parë. Zbulova ndenja të reja edhe për veten. Jam një person solar, i qetë. Matt është një personazh që vuan, por filmi është një histori dashurie, ajo e një burri për një grua dhe ajo e një babai për të bijat”, tregon Clonney. Jashtë sheshit të xhirimeve, George Clooney është një artist bujar dhe alegro. është shumë llafazan, përveç rastit kur e pyet për të dashurën e tij, Elisabetta Canalis. Për ditëlindjen e tij më 6 maj, Eli erdhi në sheshin e xhirimit. Kishte veshur një palë rroba banje shumë të bukura, duke qenë se xhirimit po bëheshin në det. Me pak fjalë, i la të gjithë me gojë hapur. Por mes trupës së xhirimit e dashura e Clooney-t nuk u pëlqen shumë: është e heshtur dhe e paafrueshme, thonë ata. Ndryshe nga ajo, aktori bukurosh nuk ngurron aspak të bëjë batuta dhe të tregojë anekdota gjatë gjithë kohës. “Po e them sinqerisht, më mirë të xhirosh këtu se në Detroit, njerëzit janë të këndshëm, janë të gjithë të çlodhur dhe arrijnë të bëjnë gjithçka që duhet të bëjnë me shumë thjeshtësi. Sigurisht që të bën përshtypje injorimi i disa rregullave: njerëzit shëtisin me motorë pa kaskë në kokë, kalojnë në mes të rrugës pa zbatuar semaforin. Mjafton të dalësh pak nga qyteti dhe e gjen veten sikur je jashtë botës. Mes të tjerave, shtëpitë modeste që të kthejnë pas në kohë”. Në Honolulu, jeton edhe Maya Soetoro-Ng, motra e Presidentit Obama. “Nuk e kam takuar, por kam dëgjuar gjëra shumë të bukura për të. Përkundrazi, shkova në shkollën ku ka qenë Obama që fëmijë dhe gjeta albumin e vitit 1972, ku ai kishte dalë me shokët. Ja, e kam fotografuar me celular. është qesharake apo jo të shohim Barack Obama-n fëmijë?”. Sa i përket politikës, Clooney është kureshtar të marrë informacione për “Draquila”, një dokumentar i famshëm italian, sepse ai e ndjen që ka një lidhje të veçantë me L’Aquila-n, ku ka xhiruar një pjesë të filmit “The American” e ku do të kthehet sërish për të xhiruar pjesët e tij të fundit. “është gjithmonë e njëjta histori, ajo që ndodhi në Aquila pas tërmetit, apo në Haiti, ashtu si rrjedhja e naftës në Gjirin e Meksikës: njerëz që duan t’i bëjnë gjërat me pak para e të fitojnë shumë pa menduar për ndikimin që kjo mund të ketë mbi të tjerët”.
#