E Diel, 1 Nëntor 2026

Dashuria e parë? Një traumë. Për këtë arsye nuk harrohet kurrë

Një studim shpjegon mekanizmat nervorë që përcaktojnë rënien e parë në dashuri. Ndërkohë një stuhi biokimike zhvillohet në tru. Lidhja është identike në të gjitha kulturat dhe të gjithë popujt. “Dashuria ‘e parë’ është një ndjenjë që mund të provohet edhe katër herë të tjera gjatë jetës”, thotë një studiuese

Dashuria e parë nuk harrohet kurrë dhe kjo ndodh për arsye se me pasionin aktivizohen disa qarqe nervore të ankthit dhe frikës, duke shkaktuar te ne një lloj traume. Madje jo vetëm kaq: kjo lidhje biokimike është identike në të gjitha kulturat dhe popullsitë, nga ajo europiane tek ajo amerikane dhe kineze, ku martesat bëhen me shkuesi dhe të rënit në dashuri është një element shkatërrues për shoqërinë. Ky është përfundimi i një studimi të universitetit “Stony Brook University 1” në Nju Jork, mbi aktivizimin cerebral të lidhur me ndjenjat e periudhave të gjata dhe të shkurtra.

Studimi i kryer në harkun kohor të tri viteve në Britaninë e Madhe, Amerikë dhe Kinë ka treguar se si ndjenja e parë e fortë, shkakton reaksione nervore në tru, të ndryshme nga ato që përjetohen me dashuritë pasardhëse, më romantike dhe më pak shkatërruese, por që janë identike për të gjithë popujt. Hapësirat e trurit, që aktivizohen duke parë fotografinë e njeriut të parë me të cilin keni qenë të dashuruar janë të njëjtat që rregullojnë mekanizmat e varësisë dhe çekuilibrat mendorë. “Kjo është arsyeja që ajo përvojë dashurie do të mbetet përjetë brenda nesh”, thotë profesori që ka bërë studimin.

Studimi i publikuar në revistën “Human Brain Mapping” është zhvilluar në Kinë, nga ish-studiuesi Xiaomeng Xu, i cili ka ekzaminuar 18 vullnetarë, duke u treguar atyre fytyrat e personave që i kanë dashuruar në mënyrë romantike, pasionante ose thjesht miqësore. “Me analizën e impulseve cerebrale kemi vënë re, duke e lidhur me fotografinë e personit të dashuruar në mënyrë romantike, një aktivizim të fortë në hapësirat të cilat rregullojnë mekanizmat e arsyes, duke zbuluar që vullnetarët të cilët po përjetonin atë lloj ndjenje ishin më të lumtur në lidhjet me kohë të shkurtër, ashtu edhe në lidhjet me kohë të gjatë. Ndërsa imazhi i dashurive pasionante aktivizonin zonat e trurit që rregullojnë tensionin dhe frikën”.

Studiuesit arritën në përfundimin se, pavarësisht treguesit kulturor, dashuria romantike, sado e madhe të jetë, mbetet në mendje, ndërsa dashuria pasionante shkakton për herë të parë ndjenja të paqarta dhe ankth, ndaj është e paharrueshme.

Ndryshimi mes dashurisë romantike dhe asaj pasionante është analizuar edhe nga studiuesja Bianca P. Acevedo, nga i njëjti universitet amerikan, që në muajin mars të vitit të kaluar publikoi në revistën “Review of General Psychology 2” rezultatet e një studimi të kryer te 6070 persona, të cilët kishin pasur lidhje të shkurtra dashurie: “Shumë persona mendojnë se dashuria romantike është identike me atë pasionante. Por nuk është kështu, sepse ajo është po aq e fortë, ka të njëjtën përfshirje, të njëjtën alkimi seksuale të dashurisë pasionante dhe një përbërës fiksues të vogël. Ajo që na bën ‘të vdesim nga pasioni’ na krijon një ndjenjë pasigurie dhe ankthi, gjë që na ndihmon të çojmë përpara lidhje të shkurtra, jo të gjata siç mendojmë”, shpjegon ajo.

“Në gjuhën gjeorgjiane thuhet se rënia në dashuri ‘ta mpin trurin’: pra praktikisht, me ndjenjën e parë të fortë aktivizohen zonat e mbushura me receptorë, të cilat në njëfarë mënyre kontrollojnë hapësirat e kontrollit të dhimbjes. Në këtë rast krijohet një stuhi e fortë biokimike, ku përfshihen edhe hapësirat e lidhura me funksionimin e ndjenjave. Kjo është edhe arsyeja që kur biem në dashuri, ndiejmë të ashtuquajturat ‘flutura në stomak’”, thotë psikiatria Donatella Marazziti, docente psikiatrie në Universitetin e Pizës dhe autore e librit “Natyra e dashurisë”.

“Pas njëfarë kohe vjen faza e dytë, ajo që shkakton transformimin e rënies në dashuri. Ajo që përcakton këtë gjë është sistemi ‘oksitocin’, ai mesazher kimik i cili aktivizon hapësirat e kënaqësisë, qarkun e ‘reward’, të rikompensimit. Në këtë fazë ndjenja e mosrritjes bëhet më komplete, ndjenja e ankthit shndërrohet në kënaqësi. Por jo gjithmonë kjo fazë përkon me të ashtuquajturën dashuri”, shpjegon doktoresha. “Truri duhet të jetë neurologjikisht gati për një transformim të tillë dhe kjo gjë nuk ndodh kurrë para moshës 20-vjeçare”.

Sado traumatike dhe e paharrueshme të jetë dashuria e parë, nuk është e vetme. Sipas ekspertëve, një ndjenjë kaq e fortë mund të provohet deri në tri ose katër herë gjatë jetës. “Kështu sa më shumë të rritemi, aq më shumë biem në dashuri, sepse truri është zhvilluar në mënyrë komplete. E rëndësishme është që dhimbja e përvojës së parë nuk do të kthehet më, sepse truri nuk e ka ruajtur në memorien e tij”, përfundon psikiatria.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›