Vota ime: Për Polin e LirisëNga Eduard ZaloshnjaHerën e fundit që kam votuar, sipër derës së qendrës së votimit, një parullë e madhe lexonte: “Votat për Frontin, plumb për armikun!” Kuptohet që në ato kushte nuk bëhej fjalë për zgjedhje - e vetmja al
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Vota ime: Për Polin e LirisëNga Eduard ZaloshnjaHerën e fundit që kam votuar, sipër derës së qendrës së votimit, një parullë e madhe lexonte: “Votat për Frontin, plumb për armikun!” Kuptohet që në ato kushte nuk bëhej fjalë për zgjedhje - e vetmja alternativë votimi ishin kandidatët e Frontit Demokratik. Ndërsa, kur për herë të parë m’u dha mundësia të bëja një zgjedhje në votim (në marsin e vitit 1991), njëra nga alternativat ishte vetja ime - isha kandidat për deputet i Partisë Demokratike. Por një problem teknik më pengoi të hidhja votën në zgjedhjet e para të lira pas 50 vjetësh në Shqipëri. Dhe pastaj, në të gjitha zgjedhjet e mëvonshme, fati e deshi që të isha larg mëmëdheut në ditën e votimit...
Pas disa javësh, duket se fati do të bëjë që për herë të parë në jetën time të marr pjesë në zgjedhje që, në dashtë Zoti, do të jenë të lira e të ndershme. Dhe pavarësisht se vota është e fshehtë, meqenëse opinionet e mija kam kohë që i bëj publike, e quaj të arsyeshme që edhe votën time ta bëj publike. Më poshtë do të tregoj se për kë do të votoj dhe pse.
Meqenëse jam biri i dy njerëzve që u burgosën ose internuan për arsye politike gjatë regjimit komunist, dhe që kishin në rrethin familjar vëllezër, motra, kushërinj e kushërira që kishin pësuar të njëjtin fat (rrethi i ynë familjar akumuloi mbi 100 vjet burgim e internim politik gjatë atyre viteve të errëta), pjesa emocionale e qenies sime është natyrshëm e prirur drejt së djathtës. Ndërkohë, pjesa racionale e qenies sime analizon me ftohtësi alternativën e majtë.
Duke u kthyer në verën e vitit 1997, kur e majta mori pushtetin, kujtoj se si shumë ish-të persekutuar të tjerë ndjeva goxha ligështi në shpirt për faktin e thjeshtë se e majta ishte trashëgimtarja e drejtpërdrejtë e PPSH. Ndërkohë, duke u udhëhequr nga motoja “Kurrë mos i dëshiro atdheut të keqen për hir të një fitoreje të ardhme të partisë tënde”, si ndoshta pak ish-të persekutuar të tjerë, urova me gjithë zemër që premtimet e të majtëve në verën e vitit 1997 të bëheshin realitet.
Por, në fakt, tetë vitet e qeverisjes së majtë fatkeqësisht provuan se premtimet e socialistëve ishin thjesht një poezi e ëmbël, e se qeverisja e tyre nuk ishte veçse një prozë e hidhur. Për këtë arsye, pjesa racionale e vetes time e ka të vështirë t’ia japë votën tani së majtës.
Një alternativë e natyrshme për votën time do të ishte PD. Jo pak drejtues të saj janë miq të mi, me të cilët kam bashkëpunuar që ditën e themelimit të PD, dhe me të cilët kam jo pak pikëpamje të përbashkëta. Si të tillë, ata do ta meritonin votën time. Por, meqenëse do të futen në Kuvend falë aprovimit të Berishës, ata kanë një handikap të madh - janë të detyruar moralisht ta votojnë atë për kryeministër.
Dhe kjo gjë mua nuk më pëlqen. Sepse e kam të vështirë të shoh në kolltukun e kryeministrit ish-komunistin që urdhëroi rrahjen e ish-pronarëve dhe ish-të persekutuarve në grevën e urisë së vitit 1994. Sepse e kam të vështirë të shoh në kolltukun e kryeministrit njeriun kokëfortë që nuk pranoi në fillim të vitit 1997 promemorien e Dashamir Shehit, zbatimi i së cilës do të ndalonte shkatërrimin e Shqipërisë dhe ardhjen e ish-komunistëve në pushtet.
Një alternativë tjetër e natyrshme për mua do të ishte edhe Partia Republikane. Kjo sepse PR synon të më kthejë mua e shumë të tjerëve pronat që gjyshërve tanë ua rrëmbyen komunistët.
Por PR do të futet në Kuvend vetëm falë votave të PD. Si e tillë, ajo nuk do mund të bëjë dot gjë për pronat tona - ajo thjesht do të jetë nën diktatin e ish-komunistit Berisha.
Dhe tani të ndalojmë pak më gjatë te Poli i Lirisë.
Aleksandër Meksi, udhëheqësi politik i kësaj lëvizjeje, ka deklaruar publikisht se Poli i Lirisë mund të bëjë koalicion paszgjedhor me PD vetëm me kushtin që Berisha të mos jetë kryeministër. Për këtë arsye, votën time do t’ia jap me gjithë zemër këtij Poli.
Poli i Lirisë është lëvizja që mbledh rreth vetes ish-pronarët, ish-bejlerët e ish-agallarët, të cilëve Enver Hoxha ua mori tokën pa asnjë shpërblim, dhe të cilëve pasardhësit e tij nuk kanë ndërmend as t’ua kthejnë e as t’i dëmshpërblejnë. Për këtë arsye, votën time do t’ia jap me gjithë zemër Polit të Lirisë.
Së fundi, por jo më së pakti, Poli i Lirisë është lëvizja që mbledh rreth vetes njerëzit që u rrahën, burgosën, internuan e persekutuan çnjerëzisht nga komunistët. Prandaj, për hir të plagëve të shkaktuara në kurrizin e babait tim nga kamxhiku në hetuesinë komuniste, për hir të hundës së thyer të tezes time në të njëjtën hetuesi, për hir të internimit të gjatë të hallave të mija, për hir të vuajtjeve pafund të dajës tim e shumë e shumë kushërinjve të mi, votën time do t’ia jap me gjithë zemër Polit të Lirisë.
Dashtë Zoti që të së njëjtës mendje të jenë edhe shumë të djathtë si unë!