E Shtunë, 31 Tetor 2026

Co-PLAN; Shpallen fituesit e çmimit të “Lidershipit Shqiptar”

Agjencia Co-PLAN ka shpallur dje në hotel “Sheraton” fituesit e çmimit të “Lidershipit Shqiptar”. Fituesit janë të ndarë në kategori të ndryshme dhe janë përzgjedhur nga Komiteti i Lidershipit Shqiptar. Fitues për shoqërinë civile ishte Altin Hazizaj, me motivacionin: “Drejton me përkushtim prej vitesh CRCA, Qendrën e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, duke dhënë një kontribut të prekshëm dhe me rëndësi në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, të balancës gjinore dhe të drejtave të njeriut në tërësi në Shqipëri”. Në media, fitues u shpall Adi Krasta, me motivacion: “Është një gazetar që gjithmonë ka ditur të përcjellë vlera te njerëzit. Ka ruajtur në vazhdimësi një nivel të lartë profesional dhe intelektual të programeve që ka drejtuar dhe ka rrezatuar energji pozitive sociale, duke krijuar mundësi ekspozimi dhe shprehjeje për njerëzit e thjeshtë, talentet dhe të rinjtë, përmes projekteve televizive dhe radiofonike, ku spikat veçanërisht konkurrimi i përvitshëm "Ethet..." Në biznes, fitues u shpall Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës me arsyetimin se “brenda një kohe të shkurtër dhe falë një pune të shkëlqyer, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) është bërë një nga partneritetet publike-private më të sukseshme në vend, duke krijuar standarde shërbimi dhe menaxhimi të nivelit evropian, gjë që ka kontribuar për rritjen e numrit të pasagjerëve me një rritje mesatare prej 19% në vit. Kështu, në vitin 2007, TIA priti numrin rekord prej 1 milion pasagjerësh, ndërsa gjatë 2008-ës nisi zgjerimin me 40% të terminalit të ri të pasagjerëve, për të bërë të mundur pritjen e 1.5 milionë pasagjerëve në vit”. Në qeverisje, fitoi z. Arqile Gorea, drejtor i Postës Shqiptare me motivacion: “Posta Shqiptare është një nga institucionet publike që ka ndërmarrë me sukses reforma të thella për përmirësimin dhe zgjerimin e gamës së shërbimeve ndaj komunitetit, si dhe për ndryshimin e imazhit të këtij institucioni në raport me qytetarin e thjeshtë”. Ndërkohë që një çmim i veçantë iu rezervua Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Fatmir Sejdiu, si një prej personaliteteve që kanë dhënë një kontribut mjaft të rëndësishëm për mendimin dhe aksionin politik modern në Kosovë dhe Ballkan dhe në mënyrë të veçantë për lirinë e pavarësinë e Republikës së Kosovës si shtëpia e të gjithë atyre që besojnë tek demokracia, të drejtat e njeriut dhe harmonia e popujve. Juria që shpalli fituesit, përbëhej nga znj. Ermelinda Meksi, z. Gazmend Oketa, z. Besnik Aliaj, znj. Valdet Sala, z. Ilir Zhilla, z. Sokol Balla dhe z. Sotir Dhamo.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›