E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndihma, vullnetarë për informimin e banorëve në zonat rurale mbi sëmundjet

19/12/2008  Nënshkruhet memorandumi i mirëkuptimit me agjencinë qeveritare të SHBA-ve

Zonat e thella rurale në vendin tonë mbeten të pambuluara me shërbime shëndetësore, ndërkohë që për të marrë këto trajtime banorëve u duhet të bëjnë kilometra të tëra në zonat më të afërta, ku dhe ofrohen. Por situata problematike nuk mbyllet me kaq, pasi rastet e sëmundjeve sa vijnë e shtohen, të cilat evidentohen vetëm në faza të rënduara, atëherë kur bëhen të dukshme nëpërmjet shenjave klinike. Specialistët e shëndetësisë pohojnë se një situatë e tillë vjen prej mosinformimit të banorëve në lidhje me përhapjen dhe kujdesin që duhet të kenë ndaj kategorive të ndryshme të sëmundjeve, sidomos komplikacioneve kronike. Ndërkohë që kësaj situate i përvishet edhe mungesa e shërbimeve dhe e mjekëve specialistë. Përkundrejt kësaj situate si dhe për të ndihmuar në uljen e nivelit të sëmundshmërisë në shkallë vendi dhe veçanërisht për këto zona është nënshkruar gjatë ditës së djeshme dhe memorandumi i mirëkuptimit midis Ministrisë sonë të Shëndetësisë e agjencisë qeveritare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e njohur ndryshe si “Korpusi i Paqes”. Nëpërmjet saj synohet që të dërgohen specialistë vullnetarë në këto zona, në mënyrë që të ofrojnë fushata të shumta informimi me banorët në lidhje me sëmundjet më të përhapura dhe këshillat e nevojshme shëndetësore që duhet të dinë për parandalimin e tyre. Njëkohësisht janë përcaktuar dhe fushat që kanë nevoja emergjente në ofrimin e informacioneve për zhvillimin e një jetese më të shëndetshme. Kështu, mbështetja do të konsistojë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në drejtim të shëndetit riprodhues, sidomos të metodave të planifikimit familjar, shëndetit të nënës dhe fëmijës, asistencës për parandalimin e HIV/AIDS-it dhe sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, në përmirësim e shërbimit të kujdesit shëndetësor parësor, sidomos në planifikimin e shërbimeve dhe mënyrën e financimit të tyre, urgjencës mjekësore, asistencës për reduktimin e përdorimit të drogës. Vullnetarët e edukimit shëndetësor do të caktohen kryesisht në zyrat lokale të Ministrisë së Shëndetësisë dhe në procesin e kryerjes së aktiviteteve lidhur me edukimin shëndetësor në komunitetet e tyre do të koordinojnë punën me shkollat, mësuesit, psikologët e shkollave dhe stafin tjetër pedagogjik, që së bashku të promovojnë rëndësinë e edukimit shëndetësor dhe një mënyrë jetese të shëndetshme. Në nënshkrimin e këtij memorandumi bashkëpunimi merrte pjesë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhon Uidhers, i cili uroi ministren Godo për suksesin e deritanishëm në drejtimin e institucionit shëndetësor si dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm midis dy vendeve në fushën e shëndetësisë. “Ky bashkëpunim ka funksionuar mjaft mirë për periudhën e shërbimit të kontingjenteve të mëparshëm të vullnetarëve, të cilët më punën e tyre të pakursyer kanë përmirësuar në mënyrë të ndjeshme edukimin shëndetësor në grupe të ndryshme të komunitetit ku kanë vepruar”, - është shprehur ministrja Godo. Gjithashtu është vendosur që ky memorandum mirëkuptimi do të jetë i vlefshëm për periudhën dhjetor 2008–dhjetor 2013 dhe pas përfundimit të këtij afati mund të rinovohet ose të zgjatet me një kërkesë me shkrim nga të dyja palët nënshkruese. Në ditët në vijim do të bëhet dhe detajimi i zonave specifike, të cilat do të jenë prioritet i punës së këtyre vullnetarëve.

Fushat

Mbështetja do të konsistojë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në drejtim të shëndetit riprodhues, sidomos të metodave të planifikimit familjar, shëndetit të nënës dhe fëmijës, asistencës për parandalimin e HIV/AIDS-it dhe sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, në përmirësim e shërbimit të kujdesit shëndetësor parësor, sidomos në planifikimin e shërbimeve dhe mënyrën e financimit të tyre, urgjencës mjekësore, asistencës për reduktimin e përdorimit të drogës. Brenda pak kohësh pritet dhe përcaktimi i vullnetarëve të edukimit shëndetësor nga zyrat lokale të Ministrisë së Shëndetësisë. Një gjë e tillë do të mundësojë procesin e kryerjes së aktiviteteve lidhur me edukimin shëndetësor, duke koordinuar punën me shkollat, mësuesit, psikologët e shkollave dhe stafin tjetër pedagogjik e banorët e zonave.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›