E Diel, 1 Nëntor 2026

Kopsht i veçantë për fëmijët romë për të mësuar shqipen



Një kopsht që do të shërbejë vetëm për një komunitet etnik, në gjuhën shqipe, është çelur dje në Allias. Bashkia e Tiranës ka përuruar kopshtin e posaçëm për fëmijët romë, duke e përcaktuar këtë si një institucion që do të shërbejë “për të mësuar gjuhën shqipe sipas programit parashkollor”, dhe jo si një kopsht të mirëfilltë minoriteti. Ky kopsht do të fillojë funksionimin gjatë këtij fundviti dhe në mjediset e tij do të akomodohen rreth 25 fëmijë romë. Ndërkohë, në qendrën ku do të vendoset kopshti, do të zhvillohet edhe një kurs intensiv për prindërit e këtyre fëmijëve kundër analfabetizmit, i cili do të sponsorizohet nga Bashkia e Tiranës.

Në shqip... për romët?

“Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me biznesin privat dhe falë punës së çmuar të punonjësve socialë, ka mundësuar krijimin e një kopshti të posaçëm për fëmijët romë të moshës parashkollore në Allias, në njësinë bashkiake numër 4”, – njofton zyra e shtypit e baskisë.

Aktivistja e të drejtave të njeriut, znj. Elsa Ballauri, deklaroi se “është një hap pozitiv, që në një periudhë tranzicioni të ketë kopshte të veçuara për këto minoritete etnike”. Por, ajo theksoi se “është e nevojshme që mësimdhënia të jetë në gjuhën rome, sepse përndryshe gjithçka kthehet në një shou politik e mediatik”.

Por, gjuha që do të jetë bazë në këtë kopsht, do të jetë gjuha shqipe, sipas burimeve nga Bashkia e Tiranës. Programi mësimor do të jetë sipas programeve parashkollore në të gjitha kopshtet e vendit. “Hapja e kësaj klase për fëmijët romë ka si qëllim që fëmijët të cilët do ta frekuentojnë, të mësojnë shqip sipas programeve parashkollore e të mund të vazhdojnë më tej shkollën, duke mos e braktisur atë që në hapat e parë. Gjithashtu, në këtë klasë ata do të marrin pjesë në aktivitetet psiko-sociale, që anëtarët e stafit do të organizojnë në mënyrë të vazhdueshme”, – deklaroi Bashkia e Tiranës.

Kurs analfabetizmi

Ndërkohë, brenda qendrës sociale ku është vendosur ky kopsht, Bashkia e Tiranës do të krijojë për herë të parë “Kursin kundër analfabetizmit”. “Ky kurs do të jetë i hapur dhe pa kufizim moshe për frekuentuesit e komunitetit rom. Kursi do të fillojë funksionimin e tij në fillim të muajit janar dhe vullnetarë të forumeve të ndryshme të kryeqytetit do të jenë trajnuesit që do të marrin përsipër të zbusin sadopak dukurinë e rëndë të analfabetizmit për këtë komunitet, dukuri që është rritur dukshëm pas vitit 1991, ku shumë fëmijë romë ose nuk regjistrohen fare në shkolla, ose i braktisin shkollat fillore pas vitit të parë e ku një pjesë fare e vogël e fëmijëve romë mbarojnë shkollën nëntëvjeçare”, – bëri të ditur bashkia.

Edhe përpara ndërtimit të këtij kopshti ka pasur kopshte për fëmijët romë, në pak zona të vendit, por të gjitha kanë qenë në gjuhën rome, duke respektuar gjuhën amtare të këtij minoriteti.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›