E Diel, 1 Nëntor 2026

Kinostudio, hapet kopsht vetëm për fëmijët romë

19/12/2008  Inaugurimi

Një kopsht i posaçëm do të vijë në ndihmë edukimit të fëmijëve të komunitetit rom. Aktualisht situata e arsimimit të kësaj kategorie është tepër alarmante, pasi pjesa dërrmuese jo vetëm nuk kanë shkuar në kopsht ndonjëherë, por ku arrijnë moshën shkollore, e braktisin shkollën dhe përfshihen në forcat aktive të punës. Për t’i paraprirë një fenomeni të tillë, është mundësuar dhe hapja e një kopshti të posaçëm, që do të merret vetëm me arsimin e këtyre fëmijëve të komunitetit rom. Kështu, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me komunitetin rom dhe bizneset private ka financuar projektin për ngritjen e kopshtit vetëm për fëmijët romë në zonën e Kinostudios. Ndërkohë frekuentimin e këtij kopshti do ta ndjekin mbi 25 fëmijë të moshave nga katër deri në gjashtë vjeç, kategori e cila duhet ndërgjegjësuar në lidhje me rëndësinë e vijimit të shkollës më pas dhe jo braktisjen e saj, siç bëjnë pjesa dërrmuese e tyre. Lidhur me këtë iniciativë, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Eduart Shalsi është shprehur gjatë inaugurimit të këtij kopshti se “kjo qendër për fëmijët romë do të shërbejë më shumë për t’i mësuar këta fëmijë të flasin në gjuhën shqipe, në mënyrë që, kur të shkojnë në shkollë, të ndihen të barabartë me fëmijët e tjerë”. Përveç inaugurimit, me rastin e ardhjes dhe të festave të fundvitit, gjatë këtij aktiviteti janë shpërndarë dhe dhurata të shumta për fëmijët që do të frekuentojnë këtë qendër. Ndërkohë po rishikohet mundësia e krijimit të qendrave të tilla edhe në zona të tjera të kryeqytetit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›