E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo; Puna në QSUT vazhdon normalisht

Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, konfirmoi të enjten për mediat se puna në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë ka filluar normalisht, pas rënies dakord për ndërprerjen e protestës me mjekët dhe profesoratin, dje në mbrëmje. "Ne kemi rënë dakord që puna do të vazhdojë dhe qytetarit për asnjë çast nuk do t’i mungojë shërbimi shëndetësor", - tha ministrja Godo, duke iu përgjigjur interesimit të medias për vijueshmërinë e operacioneve dhe rrjedhës normale të punës në QSUT. Sipas saj, "e gjithë kjo situatë nuk ka të bëjë me qytetarin dhe nëse mjekët bëjnë grevë, është në dëm të shërbimit shëndetësor". Ndërkohë, për sa upërket kërkesave të mjekëve dhe profesoratit të Fakultetit të Mjekësisë për statusin e mjekut, Godo deklaroi: "Ne kemi filluar punën për të përmbushur një nga pikat që u paraqitën nga mjekët dhe profesorët për të ndërhyrë në minimizimin, mundësisht për të çuar në zero, fenomenin e pahijshëm të dhunës që është vënë re kohët e fundit". "Në takimin e zhvilluar me mjekë të QSUT-së, drejtoreshën Gjeorgjina Kuli, profesoratin e Fakultetit të Mjekësisë dhe dekanin e tij, u ra paraprakisht dakord për disa ndërhyrje që mund të bëhen në legjislacion, në mënyrë që mjeku të ketë një lloj statusi të ngjashëm me atë të një punonjësi policie, prokurorisë etj., që do të thotë të ketë një mbrojtje të veçantë, në mënyrë që çdo qytetar, të cilit i vjen në mendje ta fyejë verbalisht ose fizikisht, duhet të mendojë mirë veprimin që po bën", - tha ministrja Godo.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›