E Shtunë, 31 Tetor 2026

Coldplay hapin Olimpiadën 2012?

Nga Express më 12 prill 2011 në ora 10:07

Mediat britanike njoftojnë se grupi do “të fitojë mandatin” që të incizojë këngën zyrtare të Lojërave Olimpike në Londër.

Sipas ‘Daily Mail’, organizata The Dartington Hall Trust synon të angazhojë grupin Coldplay për incizimin e këngës zyrtare të Olimpiadës së vitit 2012, që nënkupton se grupi, me gjasë, do të hapë manifestimin prestigjioz sportiv me interpretimin ‘himnit olimpik’.

Prijësi i Coldplay, Chris Martin, duket se është i pari në listën e atyre që do t’iu ofrohet interpretimi i këngës, sepse është “yll i madh dhe një ikonë e skenës muzikore britanike me reputacion ndërkombëtar”.

"Coldplay sot janë rokerët më të njohur në Britani, andaj stili i tyre himnik i interpretimit është ideal për Olimpiadë”, thekson organizata.

Ende s’dihet nëse oferta parasheh edhe kompozimin apo vetëm interpretimin e këngës, por kërkesë e organizatorëve është që realizimi duhet të jetë “diçka që inspiron”.

Pritet që hapja zyrtare e Lojërave Olimpike në Londër të përcillet nga afro dy miliardë njerëz në botë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›