Cole: Të gjithë kthehen te muzika
Këngëtari amerikan Freddy Cole në një intervistë për "Shekullin" tregon shpirtin e muzikës jazz: "Shumica e muzikantëve të jazzit improvizojnë. Arsyeja pse luaj një notë në vend të një tjetre është se mërzitem paksa me njerëzit që përpiqen të kuptojnë se çfarë po mendoj në momentin që luaj."
Nuk mund të kishte kostum më të përshtatshëm se ajo veshje sportive dhe ajo kapele po aq sportive, për një këngëtar jazz-i, ndërsa provon për herë të parë një skenë të vogël në një cep të kryeqytetit shqiptar. Është Freddy Cole pak orë përpara koncertit të mbrëmshëm në Ray, jo vetëm jazz club. Ndërsa tre anëtarët e bandës përgatisnin instrumentet, ai qëndronte në një tavolinë në radhë të parë dhe vëzhgonte. Duart i ka pranë gotës me lëng portokalli dhe gishtërinjtë i kanë marrë formën kur kërrusen mbi tastierë dhe luajnë muzikë. Me një zë të ulët dhe të qetë (a thua ky zë s'ka fare të bëjë me muzikën shpesh të fortë e ngashëryese që gjithë jetës e ka kënduar), Cole tregon për shpirtin e jazit.
Zoti Cole, çfarë sjell banda juaj nga përtej Oqeanit?
Kur njerëzit të vijnë dhe të dëgjojnë do të surprizohen. Është një gjë e re dhe emocionuese që të luash për njerëz të ndryshëm. Si në shumë vende te Evropës Juglindore ku ne kemi luajtur gjatë këtyre vjetëve si Estonia, Letonia etj, ka qenë diçka e bukur, e mrekullueshme. Të luash që njerëzit të hapin veshët dhe të dëgjojnë pak muzikë të mirë.
Muzika jazz është improvizim, është spontane, unë nuk mund të them se çfarë po bëj ndërkohë që po luaj një solo. Thjesht luaj. Shumica e muzikantëve të jazzit improvizojnë. Arsyeja pse luaj një notë në vend të një tjetre është se mërzitem paksa me njerëzit që përpiqen të kuptojnë se çfarë po mendoj në momentin që luaj.
Si mund ta përshkruanit me fjalë muzikën jazz?
Ata që mundohen të përshkruajnë muzikën me fjalë, janë të padrejtë. Sepse fillimisht duhet të dish se çfarë po përshkruan. Disa njerëz duan të rrinë me të dashurat e tyre, me bashkëshortët dhe të shijojnë muzikë. Nuk kanë për të pëlqyer çdo këngë, por disa do t'i pëlqejnë më shume se të tjerat. Unë dua t'ju them vetëm ejani dhe dëgjoni për dashurinë. Është muzikë shumë e mirë, mbart shumë dashuri. Kur dëgjon jazz nuk shqetësohesh më për ngjarjet negative që ndodhin në botën sot kur njerëzit e kanë humbur humanizmin, fëmijët kanë marrë rrugë të keqe, etj etj. Por në fund të gjithë kthehen te muzika. Ti nuk mund të qëndrosh një ditë të vetme pa muzikë. Dhe kurrë mos e harro këtë: muzikë, muzikë, muzikë...
Poezitë e jazzit flasin gjithmonë për histori dashurie, zemra të thyera, ndërsa muzika vetë është tjetër gjë. Përse kjo "kontradiktë"?
Nuk ka kontradiktë mes vargjeve dhe muzikës. Muzika jazz gjithmonë ka qenë e lidhur me muzikën e lumtur. Vite më parë, skllevërit e këndonin në fushë dhe më pas kur filluan të këndonin në skena, ata gjithmonë këndonin një muzikë të lumtur. Personalisht mendoj që fjalët i ndihmojnë njerëzit të kuptojnë se çfarë po ndodh. Fjalët janë të rëndësishme, por edhe instrumentistët gjithashtu. Ne kemi pianistë dhe bateristë të mirë. Por gjithmonë duhet të kesh një këngëtar të mirë si psh. Louis Armstrong, ai është më shumë i njohur si këngëtar dhe jo si muzikant. Këngëtarët mund të jenë dhe rrëfyes të mirë, sepse këndojnë me fjalë. Këndojnë për një histori dashurie, për kohë të lumtura, për gjëra që njerëzit mund t'i kenë përjetuar në jetën e tyre. Është e tmerrshme të veprosh në këtë mënyrë, por njerëzit mund ta kuptojnë muzikën më mirë nëse është dikush që po këndon.
Një nga këngët tuaja më të njohura është "This love of mine". Mund të na tregoni historinë e saj?
Ajo këngë është shkruar nga i madhi Frank Sinatra. Nuk më kujtohet se në çfarë viti, pasi ka kaluar shumë kohë. Dhe është një këngë e bukur, mua më pëlqen shumë. Sinatra e regjistroi atë këngë dhe versioni im është një cover. Le të themi që nuk jam unë i vetmi që e ka kënduar, është kënduar në disa versione.
Cili është vendi që e ka pritur më mirë muzikën tuaj?
Ne jemi pritur mirë kudo ku kemi qenë, dhe do të ishte e padrejtë nga ana ime të thoja se një vend është më i mirë se një tjetër. Kudo është mirë, ne jemi kënaqur dhe njerëzit gjithashtu. Kjo është gjithçka që mund të kërkosh, ditë të lumtura.
Ju jeni 78 vjeç dhe këndoni akoma. Mund të na thoni sekretin?
Sekreti? (Qesh) Vërtet që do të doja ta dija. Unë mundohem të pushoj sa më shumë që të jetë e mundur. Nuk mund të luaj si dikur, me duhet ta pranoj këtë. Të pushoj në mënyrë që të jem në lartësinë e gjërave sa më shumë që të jetë e mundur, muzikalisht dhe shpirtërisht. Kështu është jeta.
A ju ka mbetur gjë pa thënë në intervista në tërë këto vite?
(Mendohet pak) Nuk e besoj se ka ngelur gjë. Madje shumë gjëra i kam thënë dhe stërthënë.