Sanksione për agjencitë që nuk zbatojnë standardet
Vendimi/ Nëse klienti nuk gjen hotelin e parashikuar në paketën turistike, ai ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim
TIRANË- Me gjithë zhvillimet negative ekonomike të këtij viti, sezoni veror do t'i gjejë agjencitë turistike përballë kushtit të firmosjes së një kontrate me klientët, përpara zhvillimit të udhëtimit.
Sipas një Vendimi të Këshillit të Ministrave, që pritet të hyjë në fuqi në fillim të këtij sezoni veror, çdo organizator udhëtimesh është i detyruar të nënshkruajë një kontratë paraprake me konsumatorin, në të cilën të përfshihen një sërë detajesh që kanë të bëjnë me udhëtimin.
Pas nënshkrimit të kontratës, organizatori është përgjegjës ndaj klientit për përmbushjen e duhur të detyrimeve që rrjedhin nga kjo e fundit, pavarësisht nëse këto detyrime janë për t'u përmbushur nga organizatori apo nga një tjetër agjenci, e cila mund të operojë me paketat e agjencisë organizuese.
Nëse pasi ka mbërritur, klienti nuk gjen shërbimin ose ambientin që i është premtuar në kontratë, organizatori i udhëtimit është i detyruar ta dëmshpërbleje atë me vlerën e shërbimit të premtuar, ose t'i ofrojë atij një shërbim, apo një ambient, i cili është i barazvlershëm me atë ç'ka është shkruar në kontratë.
Kur klienti mbërrin në destinacion dhe nuk gjen atë ç'ka i është premtuar, organizatori i udhëtimit, në këtë rast agjencia turistike, duhet që me anë të operatorëve në terren, të marrë masat e nevojshme, duke e kënaqur klientin në një periudhë kohore sa më të shkurtër.
Gjithashtu, në rast se pas nisjes, një pjesë e rëndësishme e shërbimeve të kontraktuara nuk sigurohet, organizatori duhet të marrë masa alternative, duke i bërë të mundur këtij të fundit vazhdimin e paketës së udhëtimit. Në rast të kundërt, konsumatori mund të kërkojë kompensim për shpenzimet shtesë që ka kryer, por duke mos pretenduar më shumë se trefishi i vlerës së paketës.
Klientët, të cilët përballen me kushte ndryshe nga ato të premtuara në kontratë, duhet të kenë kujdes që ankesat ndaj organizatorëve të udhëtimit t'i dërgojnë më e-mail ose me faks, me anë të të cilit është i mundur verifikimi i saj. Ky vendim pritet që t'i vërë agjencitë turistike përballë impenjimit serioz për të servirur kushte të mira për klientët e tyre.