Rama letër Berishës: Hiq taksën e votës
Kryetari i PS-së i bën edhe një herë thirrje Kryeministrit, që të reagojë sa nuk është vonë, për të dhënë kartat falas
Kriza e kartave
Partia Socialiste nuk resht së bëri thirrje mazhorancës, që të lërë mënjanë kokëfortësinë dhe të pranojë propozimin e saj për t'i dhënë karta falas për të gjithë shtetasit pa pasaportë, si mënyra e vetme për të shpëtuar procesin e ardhshëm zgjedhor.
Pas thirrjes publike të një dite më parë, kreu socialist, Edi Rama, i vendosur për të shpëtuar procesin, i ka nisur një letër rivalit të tij politik, Sali Berisha, ku i bën thirrje të reagojë sa nuk është vonë, për të plotësuar kërkesën e socialistëve për karta falas.
Duke e konsideruar vleftën kartës prej 1200 lekësh, si taksë për votën, ai i bën të ditur Kryeministrit Berisha që t'i hapë rrugë respektimit të drejtës së qytetarëve të një vendi anëtar të NATO-s për të votuar.
"Taksa e votës që qeveria juaj ka vendosur është jo vetëm arbitrare, por shkon kundër parimeve të shenjta të lirisë dhe cënon të drejtën themelore të njerëzve për të zgjedhur.
Te vendosësh një taksë për votën, do të thotë të njollosësh vendin tonë në sytë e komunitetit ndërkombëtar. Asnjë qeveri e vendeve anëtare të Bashkimt Evropian, nuk i detyron shtetasit e saj të paguajnë për të pasur mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre të votës.
Asnjë qytetar i vendeve anëtare të NATO-s nuk paguan për të votuar", - thekson Rama në letrën e vet. Gjithashtu ai ka vlerësuar se një "taksë" e tillë dëmton edhe imazhin e vendit në sytë e nderkombëtarëve, të cilët sipas tij janë më të interesuar se kurrë më parë për testin e zgjedhjeve të një vendi të sapopranuar në NATO.
Nisur nga një rëndësi e tillë, ai ka ftuar kryeministrin që të mos e shohë çështjen e pajisjes së qytetarëve me karta si një problem politik, por të angazhohet totalisht për t'i dhënë një zgjidhje këtij ngërçi që po kërcënon çdo ditë e më shumë demokracinë shqiptare.
"Taksa e votës nuk është një çështje politike. Taksa e votës është një çështje parimore. Çdo shqiptar e shqiptare, pavarësisht nëse jeton në qytet apo në fshat, nëse është i varfër apo i pasur, nëse është i punësuar, pensionist apo i papunë, duhet të ketë mundësinë për të ushtruar të drejtën e votës.
Kjo është një e drejtë që qytetarët nuk mund ta blejnë dhe as një shërbim që qeveria duhet ta shesë. Kjo nyje duhet zgjidhur pa humbur kohë, që të kemi zgjedhje", - shprehet më tej Rama në letrën e vet.
Prandaj sot, më shunë se kurrë, - thekson kryesocialisti - është e nevojshme që qeveria shqiptare të marrë një vendim të drejtë, për të bërë të mundur zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. "Shtetasit e Republikës tonë nuk duhet të paguajnë për të qenë të lirë.
Dëgjojeni Zoti Kryeministër sa s'është vonë zërin e arsyes së popullit sovran dhe adresojeni sa s'është kapërcyer kufiri i fundit kohor këtë problem, duke hequr taksën e votës e duke çliruar zgjedhjet nga zgjedha e pamundësisë ekonomike të qindramijëra njerëzve për ta paguar këtë taksë absurde",- mbyll Rama letrën e vet.
Ndërkohë, po në përgjigje të kësaj letre, Partia Demokratike ka bërë të ditur dje nëpërmjet zëdhënëses së saj vendosmërinë për t'i shkuar deri në fund vendimit për të mos hequr tarifën prej 1200 lekësh për kartat.