Coli: Biletën Prishtinë- Tiranë ma pagoi policia
Deklarata Avokatët hedhin dyshime mbi mënyrën e bashkëpunimit të të penduarit të bandës së Durrësit me Drejtësinë
TIRANË- Edhe seanca e djeshme gjyqësore në ngarkim të 16 të pandehurve të akuzuar si pjesëtarë të "bandës" së Durrësit ka vazhduar me pyetjen e të penduarit Adriatik Coli nga avokatët e të pandehurve Indrit Dokle, Kujtim Buna e Sardjan Sulejmani.
Por, edhe pse çdo avokat mbrojtës kishte të drejtë të pyeste të penduarin Coli për ngjarjet të cilat ai i ka rrëfyer, ky i fundit nuk është lejuar të përgjigjet nga gjykata e prokurori i çështjes në shumë pyetje të drejtuara nga avokatët, pyetje të cilat janë cilësuar si "sugjestionuese, tendencioze apo edhe që nuk kanë lidhje me procesin".
Kjo "pengesë" e gjykatës për avokatët është cilësuar si një shkelje e të drejtës së tyre, ku i irrituar nga kjo "ndalesë" avokati Detar Hysi nuk ka pranuar të vazhdojë me pyetjen e Colit, duke kërkuar nga gjykata që pyetjet t'i vazhdojë javën e ardhshme. I pyetur nga avokatët e të pandehurve Dokle e Buna i penduari Coli përveç se ka konfirmuar ato që ka deklaruar në dëshminë e tij, ka shtuar edhe faktin se policia shqiptare e kishte pritur në Prishtinë kur kishte ardhur nga Austria, duke i paguar biletën e kthimit për në Tiranë.
"Unë jam penduar dhe kam pranuar bashkëpunimin me drejtësinë kur kam ardhur në Tiranë dhe jo në Itali apo Kosovë"-mësohet se i është përgjigjur pyetjes së avokatëve Coli se kur ke pranuar të bashkëpunosh me drejtësinë.
Ndërkohë, pak minuta më pas, ai konfirmoi se: Agjentët e policisë shqiptare më kanë pritur në aeroportin e Prishtinës, ku pasi jam takuar me ta më kanë paguar biletën e avionit të kthimit në Tiranë",-tha Coli. Kjo deklaratë e Colit zgjoi debate mes avokatëve dhe prokurorëve të çështjes, ku këta të fundit i kërkuan togave të zeza që kjo mos të pasqyrohet në procesverbalin e seancës gjyqësore, pasi nuk ka ndonjë peshë për gjykimin e çështjes. Por, avokatët kanë kundërshtuar, duke kërkuar që kjo dëshmi të shënohet në procesverbal pasi kjo tregon, sipas tyre, që Prokuroria kishte nënshkruar marrëveshjen me të që në Itali.
Më pas, Coli nuk pranoi t'i përgjigjej pyetjeve se "çfarë i kishte kërkuar Dokles nëpërmjet telefonit nga Italia në kohën që i pandehuri ndodhej në burg". Sipas avokatëve, Coli e ka shantazhuar të pandehurin Dokle, duke i kërkuar që ta merrnin ata përsipër vrasjen e Ilir Koldashit, që ai (Coli) të mos fliste me prokurorinë. Në seancën e javës së ardhshme, mendohet që Coli të përfundojë dëshminë e tij, duke vazhduar më pas me pyetjen e 2 vajzave që janë me cilësinë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë.