E Shtunë, 31 Tetor 2026

Keqtrajtohet në zyrën e aplikimit për kartë emigrantja

KORÇË/ Mësohet se 53-vjeçarja Ilda Toma ka depozituar një kallëzim penal kundër punonjësve të zyrës


KORÇË- Keqtrajtohet në zyrën e aplikimit të kartave të identitetit një emigrante, e cila më pas ka bërë një denoncim penal në prokurori për punonjësit e firmës "Aleat". Zyra e aplikimit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike në Korçë duket se është kthyer në një ring "boksi" mes disa punonjësve të kësaj zyre dhe qytetarëve.


Një emigrante e ardhur enkas për të aplikuar për kartën dhe pasaportën e re, ka rënë pre e dhunës së punonjësve, të cilët e kanë keqtrajtuar duke i lënë dhe shenja në trup. Mësohet se shkak për nisjen e këtij konflikti ka qenë kërkesa e njërit prej punonjësve për t'u paguar, në mënyrë që gruaja 53-vjeçare të mund të kryente në kohë aplikimin.


Denoncimi


Sipas denoncimit të kryer nga 53-vjeçarja Ilda Toma, emigrante në Greqi, ngjarja ka ndodhur në zyrën ku aplikohet për karta e pasaporta. Mësohet se gruaja ka ngritur një padi, menjëherë pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spitalin e Korçës.


Toma ka treguar se është kthyer nga Selaniku me qëllim që të bënte pasaportën biometrike. "Jetoj prej disa vitesh në shtetin fqinj Greqi, ndërsa gjeta kohën dhe mundësinë të aplikoja për pasaportën biometrike, - shprehet ajo. - U paraqita tek zyra ku me shumë mundim arrita të hyja brenda.


Sapo u futa në brendësi të saj, një punonjës me paturpësinë më të madhe më kërkoi 20 euro. I thashë se nuk mund ta paguaja, por pas kësaj përgjigjeje ai u nxeh shumë dhe filloi të më tërhiqte për të më nxjerrë jashtë. Këtu nisi gjithçka, pasi pas tij, edhe dy punonjësit e tjerë më qëlluan me sende të zyrës duke më shkaktuar dhe dëmtime në kokë.


Nuk arrij ta kuptoj gjithë këtë që ka ndodhur, ndërsa i lutem shtetit të marrë masa sa më parë",- ka rrëfyer Ilda Toma. Gruaja e cila ka qenë bashkë me disa të afërm të saj ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Korçës për plagosje, ndërkohë që nga ana tjetër i është drejtuar zyrtarëve më të lartë të shtetit që të reagojnë për këtë ngjarje të paprecedentë.


Problemet


Ankesat e qytetarëve të Korçës për punonjësit e zyrës ku kryhen aplikimet për karta identiteti dhe pasaporta biometrike janë të shumta. Radhët e gjata janë bërë problematike para kësaj zyre, ndërsa emigrantët janë pjesë e këtyre vështirësive. Në ditët e para të muajit dhjetor emigrantët të ardhur në Korçë për këtë shërbim kanë protesuar për disa ditë me radhë për gjendjen e rënduar në zyrën e vetme të kompanisë "Aleat", ndaj të cilës për herë të parë është ngritur dhe një padi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›