E Shtunë, 31 Tetor 2026

Coli dëshmon në Krimet e Rënda për vrasjen e Tan Dishës



TIRANË - Seanca e radhës në procesin ku i pandehur është Bujar Gashi ka qenë dëshmitarë i penduari i bandës së Durrësit. Adriatik Coli mësohet se ka dëshmuar me dyer të mbyllura për disa orë me radhë për këtë vrasje. Bujar Gashi është një nga të pandehurit e bandës së Durrësit, por ai po gjykohet veçmas nga të pandehurit e tjerë. Seanca e djeshme është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe nën masa të rrepta sigurie. Burime, të pranishëm në sallë, shpjeguan se Coli ka rrëfyer pozicionet që kishin në bandë ai bashkë me Bujar Gashin si dhe përse morën vendim për të ekzekutuar Tan Dishën. Gashi u ekstradua vetëm pak kohë më parë nga Italia. Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte ngritur ndaj tij akuzat për disa vepra penale si “vrasje në bashkëpunim”, “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe “krijimit të organizatës kriminale”. Gashi rezultonte person në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda, më datë 21 korrik të viti 2008 kishte caktuar ndaj tij masën e sigurimit “arrest me burg”. Të njëjtat burime shpjeguan se Coli ka deklaruar që Gashi ka marrë pjesë në vrasjen e Dritan Dishës që ka ndodhur në vitin 2000 në Shën Vlash të Durrësit. Për këtë vrasje akuzohen si autorë të dyshuar Indrit Dokle, Adriatik Coli, Indrit Taullai, aktualisht të arrestuar edhe Bujar Gashi. Në bazë të hetimeve të prokurorisë rezulton se Tan Dishës i zunë pritë disa anëtarë të “Bandës së Durrësit”. Mësohet se Indrit Dokle, Adriatik Coli, Indrit Taullai dhe Bujar Gashi ishin angazhuar për të vrarë Dritan Dishën. Indrit Taullai qëndroi 500 metra para personit që ishte caktuar për të qëlluar mbi Dishën, me qëllim që të sinjalizonte ardhjen e “shënjestrës”. Dyshohet se pas sinjalit të Taullait e cila ishte një e shtënë pistolete, autorët afrohen dhe dallojnë dritat e një automjeti. Menjëherë, ata kanë hapur zjarr mbi automjetin me të cilin po udhëtonte Tan Disha, duke bërë që makina të përfundojë në kanal. Më pas, ata i janë afruar sërish automjetit, duke zbrazur edhe një karikator automatiku prej të cilit Disha mbeti i vdekur në vend. Për këtë vrasje prokuroria akuzon si autorë të dyshuar katër persona mes tyre dhe të arrestuarin e dy ditëve më parë në Itali, Bujar Gashin, i cili pritet të ekstradohet për tu përballur me akuzat që rëndojnë ndaj tij në gjykatën e Krimeve të Rënda.

21 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›