E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, nis procesi i rinovimit të organizatave dhe strukturave bazë



Shaban Sulçe

Partia Socialiste ka nisur dje zyrtarisht procesin e rinovimit të organizatave të saj në bazë. Duke filluar nga 20 tetori dhe deri në datën 20 dhjetor të këtij viti, socialistët kanë planifikuar të kryejnë zëvendësimin e kryetarëve dhe sekretarëve të organizatave. Objektiv i këtij rinovimi do të jenë kryesisht ato organizata, të cilat arritën një rezultat jo të kënaqshëm në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Procesi i rinovimit ka nisur pas miratimit të vendimeve me pikëpamje organizatave nga ana e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.

Organizatat
Në mbledhjen e fundjavës së kaluar, Asambleja Kombëtare e PS-së, përveç vendimeve politike siç ishte ai i bojkotit të zgjedhjeve të pjesshme të 15 nëntorit, mori edhe disa vendime që kishin të bënin me organizimin dhe rinovimin e strukturave socialiste. Për të arritur në këtë pikë, selia rozë ka miratuar hapjen e një procesi të gjerë debati e konsultimi me përfshirjen e të gjithë anëtarësisë, përfaqësuesit e rinisë dhe të gruas, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit. Në këtë kuadër është vendosur që brenda periudhës 20 tetor - 20 dhjetor 2009 të zhvillohen në të gjithë vendin mbledhjet për zgjedhjet e reja në organizatat socialiste, me anë të të cilave synohet të arrihet identifikimi, analizimi dhe përmirësimi i problematikave dhe mangësive të konstatuara në organizimin edhe veprimin politik të PS-së, kryesisht gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit. Gjatë kësaj faze do të zgjidhen kryetarët dhe sekretarët e organizatave të partisë, si dhe do të bëhet i mundur verifikimi i anëtarësisë efektive të kësaj force. Procesi i zgjedhjeve të reja në organizatat socialiste do të monitorohet nga drejtuesit lokalë të PS-së, si dhe nga anëtarët e Asamblesë Kombëtare.

Strukturat

Rinovimi i strukturave dhe organizatave bazë të PS-së konsiderohet i rëndësishëm jo vetëm në përmirësimin e aktivitetit politik të kësaj partie, por edhe si një burim i rëndësishëm për marrjen e mendimeve nga anëtarësia për hartimin e programit të ri politik. Propozimet e organizatave socialiste do të kenë një vend të veçantë në hartimin e këtij programi. Për hartimin e programit të ri, Partia Socialiste ka ngritur një grup të posaçëm pune, i cili kryesohet nga kreu i Partisë, Edi Rama. Asambleja Socialiste ka planifikuar diskutimin dhe miratimin e programit në tri faza. Diskutimi i parë do të bëhet në muajin janar të vitit 2010 në Kryesinë e Partisë Socialiste. Më pas vendimet dhe propozimet e saj do t’i kalohen për shqyrtim dhe propozim Asamblesë Kombëtare në muajin shkurt, ndërkohë që miratimi i programit të ri do të bëhet përfundimisht nga Kongresi i Partisë Socialiste në muajin prill të vitit të ardhshëm.

Shkurt

Meta, takim me shefin e BERZH-it në Tiranë, Daniel Berg

Zëvendëskryeministri dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim kortezie me shefin e zyrës së Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), z. Daniel Berg. Gjatë takimit Meta vlerësoi në mënyrë të veçantë marrëdhëniet e ngushta të qeverisë shqiptare me BERZH-in, në kuadër të financimit të shumë projekteve dhe asistencës teknike që Banka ka ofruar në disa sektorë strategjikë në vend, siç janë infrastruktura, energjia, apo sektori financiar. Ministri i Jashtëm theksoi se investimet e BERZH-it, si një nga investitorët institucionalë më të mëdhenj në vend, dëshmojnë qartë për stabilitetin dhe progresin ekonomik si dhe potencialin në rritje të Shqipërisë për thithjen e investimeve të huaja. Nga ana e tij, z. Berg çmoi veçanërisht bashkëpunimin e qeverisë shqiptare dhe të partnerëve të sektorit privat, falë të cilëve shumë projekte kanë qenë të suksesshme. Në këtë drejtim, z. Berg theksoi se BERZH-i planifikon të financojë në vitet në vazhdim projekte të tjera të rëndësishme në sektorin privat dhe atë publik, të cilat do të sjellin një zhvillim më të vrullshëm për ekonominë shqiptare.

21 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›