E Hënë, 2 Nëntor 2026

Familjarët e Remzi Hoxhës: Qeveria po emëron të pandehurit e kësaj dosjeje



Laureta Rryçi

TIRANË - Familjarët e biznesmenit të zhdukur shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha protestuan dje para Gjykatës së Krimeve të Rënda duke kërkuar drejtësi për procesin gjyqësor. Me një protestë paqësore, më shumë se 50 të afërm mbanin në duar pankarta ku i kujtohej drejtësisë shqiptare se ata janë në kërkim prej 14 vitesh të eshtrave të të afërmit të tyre. “Qeveria e sotshme shqiptare, e cila ishte në pushtet edhe në kohën e zhdukjes së Remzi Hoxhës, tani mundohet ta pengojë procesin gjyqësor në mënyra nga më të ndryshmet", -thotë djali i biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Ardian Hoxha. Si për ironi, edhe seanca e radhës nuk u zhvillua për shkak të disa probleme me adresat e dëshmitarëve. Përfaqësuesi i prokurorisë akuzoi policinë se po krijonte problem me adresat e dëshmitarëve. Në këtë proces, shumë dëshmitarë nuk kanë ardhur në sallën e gjyqit pikërisht për shkak të adresave jo të sakta që ishin në dosjen për gjykim.
Protesta
Familjarët e Remzi Hoxhës risollën dje një mënyrë ndryshe për të kërkuar eshtrat e të afërmit të tyre. I biri i biznesmenit shprehet i pakënaqur me mbarëvajtjen e procesit gjyqësor, duke u shprehur se ata vijnë çdo javë nga Maqedonia për të ndjekur procesin, ndërsa këtu seancat shtyhen, duke i humbur kështu seriozitetin e duhur procesit gjyqësor. Ardian Hoxha u shpreh se protesta e djeshme iu kishte mbetur si e vetmja mënyrë pa shfrytëzuar deri më tani për të zbardhur këtë çështje nga drejtësia shqiptare. Mirëpo, asnjë prej familjes Hoxha nuk ka ndërmend të dorëzohet. “Në rast dështimi të procesit, do t’i drejtohemi Gjykatës së Strasburgut”, - thotë Ardian Hoxha. “Procesi po vijon duke u shtyrë pa një arsye të fortë. Qeveria, nga ana tjetër, emëron në poste drejtuese të pandehurit. I bëjmë apel drejtësisë të zbardhë zhdukjen e babait, ndryshe ne do t’i drejtohemi Strasburgut”, - tha dje i biri i biznesmenit të zhdukur rreth 14 vjet më parë.
Kërkimet
Familja Hoxha, pavarësisht nismave të ndërmarra nga shteti, për asnjë çast nuk i ka ndaluar kërkimet në rrugë private për të marrë informacion për Remziun. Madje, sipas dëshmive të të afërmve, ata edhe kanë paguar për të mësuar mbi vendin ku ka lëvizur Remziu dhe ku pretendohet të jetë varrosur. Kjo dosje është rihapur edhe më parë, por të gjithë të akuzuarit përfituan nga amnistia e asaj kohe. Ndërsa tani u rihap me insistimin e Avokatit të Popullit të Shqipërisë, pasi u zbuluan provat mbi përkatësinë e veturës (targa e veturës që është parë duke e marrë Remzi Hoxhën). Aktualisht, në këtë proces janë tre të pandehur: njëri prej tyre, Ilir Kumbaro, pritet të ekstradohet nga Anglia në Shqipëri, ku qëndronte i fshehur për një kohë të gjatë, duke u paraqitur me identitet të rrejshëm.

21 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›