E Diel, 1 Nëntor 2026

Pakti me Greqinë, zbardhet ankimimi që depozitoi dje PS-ja në Gjykatën Kushtetuese



Shaban Sulçe
Partia Socialiste ka depozituar dje në Gjykatën Kushtetuese kërkesën ankimuese ndaj Marrëveshjes së nënshkruar midis qeverisë shqiptare dhe qeverisë greke për përcaktimin e kufijve ujorë. Kërkesa është depozituar nga deputeti socialist, Saimir Tahiri, i cili është edhe hartuesi i saj. Kërkesa mban firmat e 6 kryetarëve të partive opozitare, përkatësisht Edi Rama i PS-së, Skënder Gjinushi i PSD-së, Paskal Milo i PDS-së, Nard Ndoka i PDK-së, Spartak Ngjela i PLD-së dhe Erion Veliaj i G99-s. Nënshkruesit e kësaj kërkese kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që të shprehet për pajtueshmërinë kushtetuese të kësaj marrëveshjeje. Sipas tyre, Marrëveshja cenon Nenin 3 të Kushtetutës, i cili ka të bëjë me sovranitetin territorial të shtetit. “Ne e paraqitëm këtë kërkesë sot, ndaj presim që Gjykata Kushtetuese, si institucioni kryesor dhe i vetëm që mund të shprehet mbi kushtetutshmërinë e akteve ligjore dhe e marrëveshjeve ndërkombëtare, të marrë në shqyrtim kërkesën tonë dhe pastaj, çdo hap tjetër, është i mëpasshëm dhe mbetet për t’u vendosur”, - tha pas momentit të dorëzimit të kërkesës deputeti socialist, Saimir Tahiri.

Kërkesa e depozituar nga PS-ja dhe 5 partitë opozitare në Gjykatën Kushtetuese

OBJEKTI: Shqyrtimi i pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të Marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.

BAZA LIGJORE: Neni 131, germa b dhe Neni 134, pika 1, germa f të Kushtetutës; Neni 52 i Ligjit Nr.8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.

I nderuar Kryetar,

Të nderuar gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese,

Këshilli i Ministrave ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin “Për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, miratuar me Vendim Nr.653, datë 11.06.2009. Marrëveshja është duke u diskutuar në Kuvend dhe pritet që në një të ardhme shumë të afërt të kalojë në seancë plenare për ratifikim. Natyra, ajo çfarë rregullon kjo marrëveshje si dhe mënyra e hartimit dhe nxitimi i paprecedent i Ekzekutivit për ta sjellë atë në Kuvend kanë ngritur shqetësime dhe debate të qenësishme në media dhe opinionin publik shqiptar. Janë hedhur hije të forta dyshimi përmes argumentimeve me karakter shkencor se ratifikimi i kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare nga Kuvendi i Shqipërisë do të ketë pasoja negative të pakthyeshme lidhur me hapësirën detare dhe interesa të tjera afatgjata politike dhe ekonomike të Republikës së Shqipërisë. Kompetenca e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur mbi pajtueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare me Kushtetutën (para ratifikimit të tyre) parashikohet në Nenin 131, germa b e Kushtetutës. Ky është një kontroll paraprak që ushtron Gjykata Kushtetuese mbi marrëveshjet ndërkombëtare në mënyrë për të parandaluar që burime të tillë të së drejtës, të cilët janë gjithashtu edhe burime detyrimesh për Shtetin Shqiptar, të bëhen pjesë e legjislacionit të saj të brendshëm duke qenë në kundërshtim me aktin normativ më të lartë të vendit, me Kushtetutën.
Shkaqet që na shtyjnë në verifikimin paraprak nga ana e Gjykatës Kushtetuese të kësaj marrëveshje kanë të bëjnë me mangësitë e dukshme në ushtrimin e kujdesit të duhur në mbrojtjen e interesave më të qenësishme të shtetit shqiptar, siç është kufiri i shtetit, nga ana e Këshillit të Ministrave, pushteti i vetëm që autorizon kushtetuta të negociojë, hartojë apo adoptojë marrëveshja ndërkombëtare. Këto mangësi përveç elementëve të keq-qeverisjes, mund të prekin edhe dispozitat kushtetuese, siç është Neni 3 i Kushtetutës, dhe ku një nga detyrat themelore të shtetit është mbrojtja e tërësisë territoriale.
Më poshtë po parashtrojmë disa nga mangësitë e dukshme që mund të çojnë në cenimin e kushtetutës së Shqipërisë përsa i përket integritetit të territorit të vendit të tilla si:
Mungesa e plotë e transparencës që ka shoqëruar përgatitjen, negocimin dhe firmosjen e kësaj marrëveshjeje nga Këshilli i Ministrave;

Moskonsiderimi i fakteve historike lidhur me kufirin shqiptaro-grek. Ky kufi është vendosur dhe është njohur si i tillë nga Fuqitë e Mëdha me Vendimin e Konferencës së Ambasadoreve të Londrës, të 10 gushtit 1913, me Protokollin e Firences të dhjetorit 1913, është rikonfirmuar me Protokollet e Firences të viteve 1925 dhe 1926, nuk është venë në diskutim në asnjë nga takimet dhe aktet bilaterale të nënshkruara me Greqinë si për kufijtë pas viteve 1985 etj. (përkatësisht për rindërtimin, riparimin dhe mirëmbajtjen e piramidave dhe shenjave te tjera kufitare, si dhe për evitimin dhe shqyrtimin e incidenteve kufitare për të cilat ekzistojnë një numër i shumtë marrëveshjesh e protokollesh bilaterale të miratuara në vite, të cilat disponohen nga shteti shqiptar).

Mungesa e hartës shoqëruese që përcakton qartë dhe dukshëm vijat e përcaktimit të kufirit dhe të ndarjes së hapësirës detare (delimitimit) ndërmjet palëve nënshkruese;

Mungesa e ushtrimit të kujdesit të domosdoshëm nga ana e autoriteteve shqiptare në përcaktimin e koordinatave të delimitimit të hapësirës detare, duke mos shfrytëzuar siç duhet parashikimet në Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi Të Drejtën e Detit (UNCLOS);

Neglizhenca e qeverisë ndaj reagimit të opinionit publik, ekspertëve të fushave të ndryshme, të cilët pretendojnë për mungesë konsultimi publik, si dhe refuzimin për të shfrytëzuar ekspertizën më të mirë të vendit në përcaktimin e kushteve të kësaj marrëveshjeje me interesa madhore, si dhe ngutja për negocim të kësaj marrëveshje, kur çështje të tilla marrin shumë vite kohë negocime mes palësh;

Përmes medias, veprimtarive e debateve publike ne gjithashtu jemi njohur me vlerësime të shumta të prezantuara publikisht nga ekspertiza alternative e specialistëve të pavarur. Prej tyre janë paraqitur në publik fakte të bollshme, të cilat forcojnë dyshimet e arsyeshme mbi bazueshmërinë ligjore të kësaj marrëveshjeje dhe përputhshmërinë e saj me Kushtetutën. Disa nga këto fakte të sjella publikisht prej tyre janë si më poshtë:

Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë vjen në kundërshtim dhe në shkelje të hapur me kufirin detar ekzistues ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë siç është përcaktuar nga të gjitha hartat e kohës që nga viti 1925 deri në ditët e sotme. Shqipëria dhe Greqia e kanë përcaktuar në mënyrë konvencionale kufirin detar ndërmjet tyre, duke ushtruar të drejta të plota të sovranitetit shtetëror në hapësirën detare që merr parasysh kjo marrëveshje. Kjo marrëveshje nuk mban parasysh shfrytëzimin historik, të vazhdueshëm dhe të pakontestuar nga asnjë prej shteteve palë në këtë marrëveshje, duke përcaktuar një vijë kufitare tjetër nga ajo që historikisht ka ekzistuar në hapësirën detare ndërmjet dy shteteve.
Konventa e të Drejtës së Detit (Konventa e Montego Bay, UNCLOS 1982, ratifikuar nga Republika e Shqipërisë me Ligjin Nr. 9055, Dt. 24.04.2003, botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 40, Dt. 27.05.2003), nuk ka gjetur zbatimin e duhur, madje është zbatuar në dëm të interesave kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe tërësisë territoriale të vendit tonë. Neni 1 i Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë duke përdorur termin “ishull” për “arkipelag” e duke mos e konsideruar këtë të dytin sipas parashikimeve të sakta të marrëveshjes UNCLOS, ka sjellë përdorimin e veçantë të secilit ishull të bashkësisë ishullore të Korfuzit si pika ku ndodhen vijat bazore, gjë që ka shkaktuar një dëm thelbësor interesave kombëtare të Shqipërisë dhe tërësisë territoriale të saj.
Marrëveshja ka konsideruar tërësinë ishullore të Arkipelagut të Korfuzit dhe secilin prej ishujve si pika skajore për ndarjen dhe përcaktimin e kufijve detarë dhe Shtratdetit (Shelfit Kontinental). Në kushtet e zbatimit të drejtë të UNCLOS, rasti i Shqipërisë dhe Greqisë duhet konsideruar si rast i veçantë. Kjo sepse Shqipëria ndodhet kundruall Arkipelagut të Korfuzit i cili ka 13 ishuj, shkëmbinj dhe cekina, të cilat po sipas UNCLOS, nuk plotësojnë kushtin e raportit të ujit përfshirë brenda vijave bashkuese me tokën, e për rrjedhojë përjashtohet përdorimi i vijëdrejtave që bashkojnë këta ishuj duke marrë për bazë ishullin mëmë të Korfuzit. Ky fakt i ka shkaktuar dëm interesave kombëtare dhe tërësisë territoriale të vendit, veçanërisht përgjatë pikave 125 dhe 137 të Marrëveshjes.
Në Marrëveshje nuk janë marrë parasysh kushtet që parashikohen në UNCLOS për shtetet që ndodhen kundruall. Në këtë rast, ngushtica e Otrantos i përket vetëm dy shteteve, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, fakt ky që nuk është mbajtur parasysh nga Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë.
Në vijën hyrëse detare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë dhe veçanërisht në ngushticën veriore të Korfuzit, nuk është mbajtur parasysh përcaktimi i Komisionit Ndërkombëtar të Përcaktimit të Kufijve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë (1913, Miratuar me Aktin Final të Parisit, 1926), i cili sipas burimeve arkivore jep këtë përshkrim: “në vijën ujore, drejtimi zgjatet në drejtim të jug-perëndimit normal me Detin Territorial” që përfytyrohet zgjatja e kësaj vije deri në truallin e Ujdhesës së Korfuzit. Pika e mesme e kësaj vije do të ishte sa gjysma e largësisë midis vijave normale të të dyja vendeve, pra 8 kilometra. Sipas Marrëveshjes së nënshkruar, kjo largësi rezulton me një diferencë prej 3 kilometrash në dëm të tërësisë territoriale të RSH duke cenuar sovranitetin territorial në fillimngushticën e Korfuzit me një humbje territoriale prej 2.9 kilometrash.

Duke u nisur nga përcaktimi i njohur ndërkombëtar sipas të cilit “Vija ndarëse ujore detare në Kanalin e Korfuzit kalon mespërmes tij...”, shkëmbi “Barketa” ndodhet 60 metra në lindje të vijës së mesme. Sipas këtij përcaktimi ky shkëmb i takon Republikës së Shqipërisë. Në marrëveshjen e nënshkruar nga RSH dhe RG, “Shkëmbi Barketa” është konsideruar si pikë skajore e Arkipelagut të Korfuzit prej të cilës është matur vija e re e mesme. Kjo ka cenuar tërësinë territoriale të RSH me një dëm prej 1.5 kilometrash.

Nisur edhe nga sa më sipër dëshirojmë të sjellim gjithashtu në vëmendjen tuaj faktin se shqyrtimi i thelbit të kësaj marrëveshjeje është i rëndësishëm edhe për një argument tjetër që meriton vlerësim të veçantë në trajtimin e kësaj kërkese. Qartësimi i pretendimeve të ngritura publikisht rreth kësaj marrëveshjeje, pretendime të cilat tashmë janë bërë pjesë e vëmendjes dhe debatit të të gjithë opinionit publik mbarëshqiptar, do të përbënte ndër të tjera edhe një kontribut tejet të rëndësishëm transparence në funksion të ruajtjes dhe konsolidimit të një marrëdhënieve të shëndetshme ndërmjet dy popujve e dy shteteve kufitare të rajonit duke qartësuar kështu çdo lloj dyshimi që mund të përbëjë në çdo moment sot e në të ardhmen mundësi abuzimi në cenim të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë ndërmjet vendit tonë dhe fqinjëve tanë.

I nderuar kryetar,

Të nderuar gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese,

Duke konsideruar:

- respektimin e Kushtetutës së RSH dhe legjislacionit në fuqi si kufijtë maksimal të veprimtarisë dhe iniciativës shtetërore;
- zbatimin e Konventave Ndërkombëtare të nënshkruara nga RSH si një detyrim që buron nga Kushtetuta e RSH dhe angazhimet e saj në të drejtën ndërkombëtare;
- rëndësinë e marrëdhënieve diplomatike dhe të fqinjësisë së mirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë;
- respektimin dhe mbrojtjen e tërësisë dhe sovranitetit territorial si bazat e detyrimit më të lartë shtetëror;

Duke vlerësuar Gjykatën Kushtetuese si institucionin që garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj si dhe vendos për pajtueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare me kushtetutën e RSH para ratifikimit të tyre;

Duke u bazuar te Neni 131, germa b dhe Neni 134, pika 1, germa c të Kushtetutës; Neni 52 i Ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”;

K Ë R K O J M Ë :

Shqyrtimin e pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të Marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.

21 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›