Zgjedhjet e pjesshme, PD-ja përcakton kandidatët kundër LSI-së dhe PBDNJ-së
Eljona Ballhysa
Kryesia e Partisë Demokratike miratoi dje kandidatët për 5 njësi të qeverisjes vendore, në të cilat do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme lokale më 15 nëntor. Kandidatët e Partisë Demokratike në këto zgjedhje do të kenë përballë si rivalë kandidatët e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Ndërkohë që Partia Socialiste nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje në shenjë bojkoti që vazhdon kundrejt të gjitha institucioneve shtetërore që pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Kryesia e vogël e PD-së vendosi dje që në Njësinë Bashkiake Nr. 10 në Tiranë të kandidojë Blendi Fuga, i cili, sipas demokratëve, do të zëvendësojë postin e lënë bosh nga Gerti Bogdani. Në komunën Fierzë në Pukë, PD-ja kandidon Gjelosh Pepkolaj; në komunën Olltak në Berat kandidon nën siglën e PD-së Muharrem Hoxha; në bashkinë Klos në Mat kandidon Ramazan Mjeshtri dhe në bashkinë Fushë-Arrëz PD-ja kandidon me Alfred Qasan.
Buxheti
Gjatë mbledhjes së djeshme Komisioni Qendror Zgjedhor miratoi buxhetin për zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit. Kostoja financiare e zgjedhjeve të pjesshme vendore të 15 nëntorit parashikohet të jetë rreth 9.606.746 lekë. Sipas vendimit të KQZ-së, totali i shpenzimeve i detajuar sipas zërave parashikon shpenzimet për pagat e personelit të përkohshëm, shpërblimin për anëtarët e komisioneve të zonave të administrimit zgjedhor, të komisioneve të qendrave të votimit dhe grupeve të numërimit të votave. Gjithashtu, në këtë buxhet përfshihen dhe shpenzime për materiale specifike, si për prodhimin e fletëve të votimit, të materialeve për shtypshkrime, shërbime transporti, udhëtime, dieta etj.
Bojkoti i PS-së
Ndërkaq, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, deklaroi gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e djeshme se KQZ-ja, përmes shkresave, e ka mbyllur komunikimin zyrtar me Partinë Socialiste për sjelljen e propozimeve për anëtarët e komisioneve të zonave të administrimit zgjedhor në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit. Sipas tij, mungesa e një përgjigjeje nga ana e Partisë Socialiste është një përgjigje negative, pasi partia më e madhe opozitare në vend mbetet jashtë garës elektorale. Gjatë mbledhjes së djeshme KQZ-ja konstituoi ngritjen e komisioneve zonale të administrimit zgjedhor që do të funksionojnë për zgjedhjet e pjesshme vendore të 15 nëntorit. Dje ishte afati i fundit i paracaktuar nga Komisioni për regjistrimin e kandidatëve për zgjedhje, si dhe paraqitjen e emrave të anëtarëve të KZAZ-ve. Në mungesë të Partisë Socialiste, PBDNJ-ja do të plotësojë boshllëkun e krijuar nga PS-ja duke u përfaqësuar në përbërjen e KZAZ-ve. Sipas Kodit Zgjedhor, ngritja e KZAZ-ve bëhet sipas kësaj procedure: dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e shumicës parlamentare, dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e opozitës parlamentare, një anëtar propozohet nga partia e dytë e shumicës parlamentare dhe një anëtar propozohet nga partia e dytë e opozitës parlamentare. Në rast se nuk arrihet ky baraspeshim politik, grupi përkatës kompensohet me kandidaturat e partisë kryesore deri në baraspeshimin politik shumicë-opozitë. Zgjedhjet e pjesshme do të mbahen në Njësinë Bashkiake Nr. 10 në kryeqytet, në bashkinë e Fushë-Arrëzit, bashkinë Klos, komunën Fierzë dhe komunën Otllak, ku ish-drejtuesit e tyre janë larguar nga këto poste, pasi fituan mandatin e deputetit në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit.
Topalli: “Parlamenti do të miratojë fond të veçantë për trajtimin e sëmundjes së autizmit”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mori pjesë dje në konferencën ndërkombëtare me temë “Autizmi: nga shkaqet te trajtimi”, organizuar nga Fondacioni i Fëmijëve shqiptarë nën drejtimin e zonjës Liri Berisha. Në fjalën e mbajtur në këtë konferencë, kryetarja e Kuvendit Topalli u shpreh se do të japë të gjithë mbështetjen e saj për një këtë çështje sensitive jo vetëm për fëmijën dhe familjen, por për të gjithë shoqërinë. Kryetarja Topalli tha se Parlamenti do të angazhohet konkretisht, duke bërë të mundur që në buxhetin e vitit të ardhshëm të parashikohet një fond i veçantë për studimin dhe trajtimin e autizmit. “Në emër të Kuvendit të Shqipërisë angazhohem që në buxhetin e vitit të ardhshëm, së bashku me deputetë të tjerë ne do të vendosim një fond të veçantë jo vetëm për të menduar se çfarë do të bëjmë në kërkimet dhe shërbimet tona për këtë sëmundje, por dhe t'u japim asistencë nënave që t'i qëndrojnë afër dhe të kujtohen më shpejt për ta kapur këtë sëmundje, sepse ata fëmijë kanë një botë të tyre, të cilën ne duhet ta kuptojmë dhe detyra jonë dhe e shkencës kryesisht është që të thyejmë dhe të rrëzojmë murin e moskomunikimit”, - theksoi Topalli.
Bregu: “Presim pyetësorin e BE-së brenda presidencës suedeze”
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, është shprehur dje se qeveria shqiptare shpreson të marrë pyetësorin nga Bashkimi Europian brenda dy muajve të presidencës suedeze të BE-së. Gjatë një takimi pune të organizuar nga Ministria e Integrimit në bashkëpunim me GTZ-në me qëllim diskutimin e sfidave me të cilat do të përballet administrata shqiptare, pas marrjes së pyetësorit të kandidimit nga Bashkimi Europian, Bregu tha se qeveria shqiptare synon që pyetësorin ta marrë brenda këtyre dy muajve. “Ne jemi absolutisht, krejtësisht të gatshëm që të mirëpresim pyetësorin e Bashkimit Europian, të Komisionit Europian, pra mendimin nga Këshilli që do t’i kërkojë Komisionit përgatitjen e pyetësorit në çfarëdolloj momenti që të vijë. Ne besojmë që ky moment të jetë sa më i shpejtë dhe të jetë një datë jo shumë e largët, pavarësisht të gjitha diskutimeve dhe duke vlerësuar vendimmarrjen e shteteve anëtare në Këshill dhe në Komisionin Europian. Ne presim që Këshilli t’i kërkojë Komisionit brenda presidencës suedeze”, - tha Bregu. Pyetësori i kandidimit në Bashkimin Europian pritet të përmbajë deri në 4500 pyetje dhe ka për qëllim vlerësimin e gatishmërisë së vendit, për të ecur drejt fazave të tjera të procesit të anëtarësimit në BE. Duke vlerësuar rëndësinë e këtij procesi, ministrja Bregu informoi se në datën 1 nëntor do të fillojnë trajnimet për gjithë administratën publike nga një grup ekspertësh, të cilët do të jenë prezent për të ndihmuar administratën në përballjen me këtë sfidë. Në këtë drejtim, ministrja Bregu prezantoi eksperten kroate, Dubravka Vlasic Plese, e cila do të asistojë Ministrinë e Integrimit në këtë proces. “Ne kemi miratuar edhe një udhërrëfyes për mënyrën se si do të përballojmë këtë proces dhe ky udhërrëfyes tani është kthyer në një plan veprimi konkret për Ministrinë e Integrimit”, - tha Bregu. Pas marrjes së pyetësorit, Shqipëria do të ketë në dispozicion një periudhë kohore prej 4-6 muajsh për të kthyer përgjigjet e kërkuara dhe në këtë proces pritet të përfshihen një numër i madh aktorësh institucionalë dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe stafit akademik.
shkurt
Kryeministri i Holandës, letër Berishës: “Mbështesim integrimin e Shqipërisë”
Kryeministri i Holandës, Jan Peter Balkenende, nxit Shqipërinë që të vazhdojë të njohë progres në procesin e integrimit europian. Kryeministri holandez i ka dërguar kryeministrit Berisha një mesazh urimi në të cilën përveçse uron kreun e qeverisë shqiptare për rizgjedhjen në këtë detyre shpreh vullnetin e qeverisë holandeze për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. “Unë pres me padurim të vazhdoj bashkëpunimin me ju, si në nivelin bilateral, ashtu dhe në atë multilateral. Kujtoj këtu bashkëpunimin tonë më kuptimplotë se asnjëherë tjetër, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Unë gjithashtu shpresoj që vendi juaj të vazhdojë të njohë progres në hapat drejt integrimit europian”, - përfundon mesazhi i kryeministrit holandez.
Ministri i Jashtëm, Meta, niset për vizitë dyditore në Itali
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u nis dje për një vizitë zyrtare dyditore në Itali, me ftesë të homologut italian, Franko Fratini. Bisedimet mes dy ministrave të Jashtëm do të fokusohen në ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe, emigracionin shqiptar në Itali, zhvillime të politikës rajonale, si dhe çështje që kanë të bëjnë me axhendën e integrimit europian të Shqipërisë, veçanërisht mbi procesin e liberalizimit të vizave. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Meta do të zhvillojë gjithashtu një sërë takimesh me personalitete të larta të politikës italiane, si dhe me Ambasadorë të vendeve të akredituar në vendin tonë, me rezidencë në Romë.
21 Tetor 2009