“Coli hakmerret ndaj bandës”
Armand Bajrami
Pyetjet e avokatit Detar Hysi kundrejt të penduarit të "bandës së Durrësit" Adriatik Coli, kanë shkaktuar debat mes palëve dje te Krimet e Rënda. Avokatët kanë "ngacmuar" të penduarin e Bandës së Durrësit duke e akuzuar se ka dërguar ndërmjetës te familjarët e anëtarëve të arrestuar të grupit, duke kërkuar para në këmbim të heshtjes së tij. Vetë i penduari i pranishëm në sallën e gjyqit i ka mohuar akuzat. Në seancën e djeshme në ngarkim të 15 të akuzuarve si anëtarë të Bandës së Durrësit, ka vazhduar procedura e pyetjes së të penduarit nga avokatët. Prej disa seancash në radhë, mbrojtësit ligjorë kanë kërkuar sqarime nga i penduari, në lidhje me ngjarjet e përmendura prej tij në deklarimet e dhëna për Prokurorinë dhe Gjykatën. Ndërkohë dje, Avokati Hysi, mbrojtësi i të pandehurit Sardian Sulejmani, ka pyetur të penduarin nëse ishte në dijeni të faktit që vëllai i tij ka kontaktuar me familjarë të të pandehurve dhe ka kërkuar para në shkëmbim të dëshmisë. Mësohet se i penduari Coli ka mohuar të kishte dijeni mbi një fakt të tillë. Ai ka reaguar menjëherë duke thënë se nuk kishte dijeni rreth akuzave të tilla. Konfuzion dhe replika në sallë kanë shkaktuar edhe pyetje të tjera të bëra nga avokati Hysi. Ai ka aluduar ndaj të penduarit duke kërkuar sqarime prej tij, nëse me dëshminë që ka dhënë me vullnetin e tij, ka dashur të hakmerret apo të ndëshkojë ndonjërin prej anëtarëve të bandës ku ka bërë pjesë. "Pendesa jote është hakmarrje ndaj ndonjërit këtu brenda në kafaz, apo është thjesht pendesë? Je penduar për ata që ke vrarë? Sa shtetas keni vrarë me dorën tuaj dhe cili ka qenë i parafundit? Cili do të jetë qëndrimi juaj nëse marrëveshja mes jush dhe Prokurorisë për t'u penduar, për një shndërrim total të jetës suaj, nuk do të realizohet?", mësohen të kenë qenë disa nga pyetjet e avokatit. Në vijim Coli iu është përgjigjur pyetjeve të avokatëve të të pandehurve Endrit Dokle dhe Kujtim Buna. Mësohet se seanca e djeshme ishte e parafundit në radhën e seancave të dëshmisë së të penduarit. Pritet që në seancën e radhës, dëshmia e tij të përfundojë. Adriatik Coli nisi të dëshmojë nën statusin e të penduarit dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë në shtator të vitit 2009.