"Dimraj nuk ka lidhje me futbollin"
Trajneri, njëkohësisht edhe kapiteni i ekipit të Tiranës, Devi Muka, reagon për akuzat e hedhura në drejtim të tij nga ana e shefit të klubit, Rauf Dimraj. Muka i ka cilësuar akuzat ndaj tij si mllefe personale dhe të pabazuara. "Për sa i përket akuzave të Dimrajt ndaj meje nuk i di arsyet e vërteta, por mendoj se janë personale të tijat. Mua nuk më ka vendosur Rauf Dimraj në krye të Tiranës. Janë të tjerë persona ata që kanë vendosur që unë të jem në krye të ekipit. Nuk është Dimraj personi i përshtatshëm që mund të gjykoj punën time, pasi ky person, me gjithë respektin që kam për të, vetëm me futbollin që nuk ka lidhje", pohoi trajneri bardheblu. Muka është shprehur se vendosja e tij në krye të ekipit nuk ka qenë dëshira e vet, por e ka bërë këtë për të mirën e ekipit, duke parë edhe situatën e vështirë në të cilën ndodhej Tirana. "Dua të them që unë nuk kam pasur ndonjë dëshirë të madhe që të vihesha në këtë pozicion, pasi mendoj që të vazhdoj ende të luaj futboll. Fakti që mora drejtim e ekipit e bëra për të mirën e Tiranës. Për këtë ekip unë do të isha i gatshëm që të bëja çdo gjë, madje edhe të korrja barin e fushës. Unë e kam thënë edhe më parë që jam trajner i përkohshëm", tha ai. Sipas Mukës, pavarësisht akuzave në drejtim të tij, koha do ta tregojë se sa i aftë është ai për të drejtuar ekipin e Tiranës.