E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, gjyqtari në urgjencë, i ra të fikët në zyrë



TIRANE - Ngarkesa në punë, gjyqtarit i bie të fikët në zyrën e punës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje rreth orës 15:30 në Gjykatën Penale të Tiranës, kur gjykatësi Petrit çomo, ndërsa ndodhej në zyrën e tij ka pësuar debulesë dhe për pasojë ka humbur ndjenjat. Menjëherë kolegët e tij dhe punonjësit e gjykatës i kanë dhënë ndihmën e parë, ndërsa kanë njoftuar edhe shërbimin mjekësor të urgjencës së QSUT-së. Në të njëjtën kohë, i është kërkuar ndihmë Burgut 313, institucion i cili ndodhet shumë pranë gjykatës. Me të shpejtë ky institucion ka vënë në dispozicion autoambulancën dhe mjekun, i cili brenda pak çastesh ka shkuar në zyrën e gjykatësit dhe i ka dhënë ndihmën e parë. Pas kësaj, çomo është përcjellë drejt QSUT-së ku ka marrë ndihmë më të specializuar mjekësore. Rreth një orë më vonë, gjykatësi kryeqytetas ka pasur përmirësim të ndjeshëm të shëndetit dhe ka lënë spitalin për t'u kthyer në banesë. Mjekët që vizituan gjykatësin çomo pohuan se shkak për këtë ishte ngarkesa e madhe në punë, e cila vinte nga numri i madh i çështjeve që u dorëzohen gjyqtarëve, si dhe shpejtësia e gjykimit që u kërkohet atyre. Vetëm pak javë më parë, Gjyqtari i Krimeve të Rënda, Xhelal Elezi, humbi jetën në sallën e gjyqit pasi pati hemorragji cerebrale. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›