Policia merr laboratorin e ADN-së, Anglia investoi katër milionë euro
TIRANE - Mbretëria e Bashkuar dhe Ministria e Brendshme kanë përmbyllur dje në një ceremoni investimin 11-vjeçar të Britanisë, për modernizimin e Policisë Shkencore shqiptare. Një investim që ka kushtuar 4 milionë euro, por që sipas zv.ministrit të Brendshëm, Avenir Peka, vlera reale e këtij investimi është më e rëndësishme se ajo monetare. Sipas Pekës, ajo ndihmon në ngritjen e kapaciteteve të Policisë Shkencore për luftimin më me efektivitet të krimit në Shqipëri. Zv.ministri Peka shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Brendshme për të vijuar bashkëpunimin mes angjencive ligjzbatuese shqiptare e britanike. Programi "Për modernizimin e Policisë Shkencore", ka filluar në vitin 1998 dhe është përmbyllur në dhjetor 2009. Ndërsa ceremonia e përfundimit të këtij projekti, është zhvilluar dje në ambientet e Ministrisë së Brendshme. Në ceremoni ishin të pranishëm zv.ministri i Brendshëm, Avenir Peka, Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona Mcllëham, drejtori i Institutit të Policisë Shkencore, Ajdin Mborja, zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Agron Kuliçaj dhe zv.drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Kosta Beluri. Gjatë këtij programi, ku janë kryer edhe trajnime të specialistëve të Institutit të Policisë Shkencore, janë implementuar metoda dhe janë instaluar sisteme dhe pajisje moderne për ekzaminimet e ndryshme kriminalistike, përfshirë edhe instalimin në vitin e kaluar të pajisjeve për ekzaminimet me anë të ADN-së. Duke e cilësuar sistemin e ekzamiminit të ADN-së, një mjet të fuqishëm në arsenalin e Policisë Shkencore, Ambasadorja Mcllëham u shpreh se modernizimi i këtij sektori, kontribuon në reformat drejt një sistemi gjyqësor të përgjegjshëm dhe transparent, që e kërkon BE dhe që e meriton populli shqiptar. Programi i mbështetur financiarisht nga Mbretëria e Bashkuar, i menaxhuar nga policia e kontesë së Essex-it, ka përfshirë edhe trajnimin e specialistëve të sektorëve, të Policisë Shkencore, për përdorimin e saktë të apara-turave moderne.