Interpoli ekstradon nga SHBA e Italia, dy të dënuar për vrasje
TIRANE - Dy persona të shumëkërkuar dhë të dënuar për vrasje ekstradohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia për të vuajtur dënimin në Shqipëri. Interpoli ka sjellë dje në pranga 33-vjeçarin nga Shkodra Shkëlqim Qosaj dhe 33-vjeçarin nga Fushë-Mamurrasi, Astrit Lika. Dy personat ishin dënuar në mungesë nga drejtësia shqiptare me akuzat e vrasjes. Sipas një njoftimi për shtyp nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë mësohet se është ekstraduar nga Amerika, dje rreth orës 11:30, Shkëlqim Gjokë Qosaj, lindur në Bërdicë të Shkodrës. Burime nga policia thanë se Gjykata e Shkodrës, me vendim të datës 18 koddik 2000, e ka dënuar 33-vjeçarin Qosaj me 20 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të "Vrasjes me paramendim" dhe "Armëmbajtjes pa leje". Sipas vendimit të gjykatës, Shkëlqim Qosaj, më 10 nëntor të vitit 1998, në fshatin Bërdicë e Madhe të rrethit të Shkodrës, ka qëlluar me armë zjarri Zef Prekën. Preka është qëlluar për vdekje në kohën kur po udhëtonte me makinë në drejtim të Shkodrës. Sipas dëshmitarëve të pyetur nga policia, por edhe që dëshmuan në atë kohë në gjykatë, motivi i vrasjes ka qenë lidhja e autorit të krimit me motrën e viktimës, Zef Preka. Më shume se 3 vite më parë Shkëlqim Qosaj (Qosja), u arrestua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa dje autoritetet amerikanë i dorëzuar Interpol-Tiranës të kërkuarin për vrasje. Po kështu, dje rreth orës 17:30 u ekstradua nga Milano e Italisë, një tjetër person i shumëkërkuar për vrasje. Drejtoria e përgjithshme e Policisë informoi se është kryer ekstradimi i 33-vjeçarit Astrit Muharrem Lika, lindur në Fushë-Mamurras. Policia sqaroi se Gjykata e Kurbinit, më 21 tetor të vitit 2004, e ka dënuar Astrit Likën me 25 vjet burg për kryerjen e veprës penale të "Vrasjes me paramendim". Sipas vendimit të Gjykatës së Kurbinit, Lika më 25 janar të vitit 2002, ka vrarë me armë zjarri Gëzim Llëshin. Burime të policisë pohojnë se përpara krimit Lika është konfrontuar me Lleshin, për shkak të ndarjes së disa mallrave të vjedhura në bashkëpunim në Mamurras. Konflikti ka degjeneruar më shumë dhe për pasojë Astrit Lika ka nxjerrë pistoletën, duke qëlluar Lleshin për vdekje. I kërkuari u arrestua fillimisht në Angli në vitin 2008, por gjykata nuk miratoi ekstradimin e tij duke e lënë të lirë.