E Shtunë, 31 Tetor 2026

Consorciumi universitar: Trajtim tolerant për “Marubi”-n

 

“Trajtim më tolerant për Akademinë ‘Marubi’”! Kjo është kërkesa që përfaqësues të Consorciumit Universitar Shqiptar, në përbërje të së cilit është Universiteti “Luarasi”, Akademia e Filmit dhe Multimedias “MARUBI”, Universiteti Europian i Tiranës dhe Universiteti “Polis”, i ka drejtuar përmes medias Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Consorciumi shpreh solidaritetin me kolegun Kujtim Çashku, lidhur me të drejtën e tij për të mbrojtur punën dhe investimin e tij material dhe intelektual, që ka kthyer mjedisin tejet të amortizuara të ish-kinostudios në një qendër të mësimdhënies, kulturës dhe artit të filmit në Shqipëri. “Ne besojmë se zgjidhjet përmes forcave të rendit e problemeve juridike lidhur me një shkollë tashmë të mirënjohur dhe me vlera si Akademia “Marubi” nuk janë të përshtatshme. Ne besojmë se aplikimi i kritereve të rrepta ekonomike apo juridike, kur bëhet fjalë për një shkollë arti nuk është zgjidhja më e mirë që qeveria mund të gjejë”, - shprehen ata. Përfaqësuesit e Consorciumit, kërkojnë një trajtim më tolerant për të gjithë procedurat teknike e ligjore lidhur me këtë subjekt, të lidhur ngushtë me artin, duke mos e trajtuar në të njëjtën mënyrë si bizneset e tjera. Ata thonë se këtë kërkesë e bëjnë për hir të studentëve, por edhe njerëzve të kinemasë të angazhuar në këtë sipërmarrje. “Është rasti që autoritetet përkatëse të vënë në jetë premtimet publike të Kryeministrit Berisha, për mbështetje të zhvillimit të arsimit privat në Shqipëri, të cilat ne i kemi mirëpritur si vizioni më i përshtatshëm për mënyrën se si një qeveri mund të shohë zhvillimin e këtij sektori”,- përfundojnë ata. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›