E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inva Mula, në Tiranë me një koncert recital

 

Alma Mile

Është kthyer sërish në Tiranë. Me një tjetër surprizë. Këtë herë do të jetë ajo që do të mbajë barrën më të rëndë. Sopranoja e madhe Inva Mula sjell për kryeqytetasit një koncert recital. E shoqëruar nga “Cammerata e Tiranës”, nën drejtimin artistik të violonçelistit Arben Skënderi dhe harqeve të Orkestrës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Inva Mula, do të sjellë një kolazh ariesh të zgjedhura, nga krijimtaria më e mirë operistike botërore, por edhe pak shpirt shqiptar. Sipas drejtorit artistik, Arben Skënderi, programi i këtij koncerti është zgjedhur me tepër kujdes, duke përfshirë, jo vetëm arie të njohura për publikun shqiptar, por edhe ndonjë vepër, që nuk është familjare dhe vjen për herë të parë përmes zërit të Inva Mulës. Ky koncert “special vokal”, siç e quan ai, për shkak se kjo ngjarje mbahet e gjitha nga vokali i sopranos, e cila interpreton padyshim “live”, do të sjellë pjesë nga krijimtaria e kompozitorëve të njohur, si Mozart, Puçini, Rosini, Gunot, etj. Mund të përmendim ndër to arien e Paminës, shkëputur nga opera gjermane e Moxartit, “Flauti magjik”, një arie nga opera “Romeo dhe Zhulieta” Gunosë, aria e Liu-së, nga e famshmja “Turandot”. Pjesë e programit të sotshëm do të jetë edhe një arie e panjohur nga publiku shqiptar, “Fille de Cadix” (Vajza e Kadiksit) nga kompozitori Leo Delibes, shkëputur nga “Chanson Espagnole”. Por nuk do t’i mungojë kësaj mbrëmjeje edhe koloriti i muzikës shqiptare. Për këtë koncert, është përzgjedhur aria e Boranës, nga opera “Borana”, e kompozuar nga Avni Mula, babai i sopranos, por edhe një këngë qytetare shkodrane. Bëhet fjalë për këngën “Jasaman asaj furie”, një jare e njohur shkodrane, të cilën Mula e ka pjesë të albumit të saj me këngë qytetase shqiptare, por këtë herë vjen në variantin e orkestruar nga kompozitori Çesk Zadeja, duke qenë se kësaj radhe, sopranoja nuk do të jetë e shoqëruar nga një kuartet harqesh, si ai “Gaudi”, por nga një orkestër e plotë. Gjatë harkut kohor prej 60 minutash, janë parashikuar edhe dy ekzekutime të orkestrës. Bëhet fjalë për uverturën hyrëse të “Dasmës së Figaros” dhe uverturën e Karmenit tek opera “Karmen” e Bizesë. Sipas Skënderit, nuk është fort e rastit që një orkestër me përvojë si ajo e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, të bashkëpunojë me një orkestër të re në moshë, si “Cammerata e Tiranës”, që tregon për një klimë më të mirë artistike në Tiranë. Koncerti recital i Inva Mulës do të zhvillohet sot në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në orën 19.00 dhe vjen me rastin e 10-vjetorit të themelimit të kompanisë së sigurimeve “Sigal”. Ka qenë ideja e këtyre të fundit, të ftonin në Tiranë sopranon Mula, e cila edhe pse në mes të një sezoni të ngjeshur shfaqjesh, ka pranuar të japë një koncert, nën shoqërinë e Cammeratës, e cila pavarësisht se është formacioni më i ri i harqeve në vend, është kryer në një faktor të rëndësishëm në jetën kulturore të kryeqytetit. Edhe pse vitet e fundit, duket se sopranoja, po e shpeshton kontaktin me skenat shqiptare, koncerti i sotshëm, me programin impenjativ, është një rikthim më i plotë i saj. Dy vjet më parë, ajo ideoi dhe interpretoi në një koncert kushtuar të atit, Avni Mula, në 80-vjetorin e lindjes, ku interpretoi më së shumti vepra të shkëputura nga krijimtaria e tij. Ndërsa disa vite të shkuara, ajo erdhi me një album me këngë qytetase shqiptare, të përpunuara, të cilin preferoi ta prezantonte në qytetin e Shkodrës e shoqëruar nga formacioni instrumental “Gaudi”, në përbërje të së cilit është edhe violonçelisti, Arben Skënderi.
 

Mula, në Vjenë me “Manon”
“Manon” është një nga sukseset më të fundit të sopranos Inva Mula. Përgjatë muajit janar, ka interpretuar në një nga skenat më të rëndësishme operistike në botë, në Teatrin Shtetëror të Vjenës. Në operën “Manon”, të kompozitorit Jules Massenet, Mula interpreton rolin kryesor, atë të Manon Lescaut. Një rol i vështirë, që kërkon mjeshtëri të lartë artistike, por që sopranoja e ka tashmë në repertorin e saj prej kohësh. Në krah të saj interpretuan zëra të rëndësishëm operistikë, si ramon vargas, në rolin e kavalierit Des Grieux, Dan Paul Dumitrescu në rolin e Graf Des Grieux dhe Adrian Erod, në rolin e vëllait të Manon. Opera dirigjohet nga Miguel Gomez-Martinez. Pas suksesit të janarit, opera do të vijojë rrugën e saj në këtë skenë edhe në muajt në vijim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›