“Financial Times”: Nis konfrontimi mes Medvedevit dhe Putinit
Dyshimet se Presidenti rus, Dimitri Medvedev zbaton rigorozisht politikën e paraardhësit të tij dhe tashmë Kryeministrit të vendit, Vladimir Putin, po përballen me fakte që tregojnë përçarje mes dy miqve të vjetër. Tashmë analistë politikë të mediave prestigjioze amerikane e britanike dëshmojnë mbi gjurmët e nisjes dhe zhvillimit të një mosmarrëveshjeje mes dy figurave kyçe në politikën ruse, duke dhënë shkas për ‘hetimin’ e formimit të një hendeku të thellë që rrezikon evoluimin ekonomik dhe ushtarak të vendit më të rëndësishëm të ish-Bashkimit Sovjetik. Sipas gazetës së përditshmes londineze, “Financial Times”, konflikti ndërmjet presidentit Medvedev dhe Kryeministrit të Rusisë, Putin, është gjithnjë e më i hetueshëm. Kështu që, sipas komenteve të analistëve të gazetës, dy politikanët kryesorë në Rusi, Medvedev dhe Putin, po paraqesin gjithnjë e më shumë dy pole të epiqendrës politike ruse, të cilat kanë filluar të largohen dukshëm nga njëri-tjetri, shkruan “Financial Times”. Gazeta britanike vë në pah se Medvedev, para disa kohësh, ka kritikuar qeverinë ruse, duke mos apostrofuar Putinin, për ngathtësi në miratimin e vendimeve që kanë të bëjnë me krizën ekonomike që tashmë e ka mbërthyer edhe vendin e tij. Sipas deklaratave të publikuara edhe nga mediat ruse, Presidenti i Rusisë ka thënë se ngadalësia e qeverisë është e papranueshme dhe se kjo është dëshmi e “paaftësisë së saj për të miratuar vendime me kohë”, shkruan “Financial Times”. Kjo është hera e dytë që brenda dy muajsh Medvedev kritikon qeverinë. “Financial Times” citon disa analistë të kenë thënë se me këto veprime, Medvedevi, që deri tashmë kishte paraqitur një qëndrim politik nën hijen e Putinit, sinjalizon se synon të lirohet nga varësia e tij dhe të jetë më i pavarur në miratimin e vendimeve për drejtimin e vendit.
Përgjigje krizës
Ministrat e financave të zonës së Azisë u zotuan që ta mbajnë tregtinë e lirë dhe investimet në nivele të larta, përkundër ngërçit ekonomik të shkaktuar nga kriza globale. Ministrat e 10 vendeve të Azisë Juglindore, si dhe ata të Kinës, Japonisë dhe Koresë së Jugut, u dakorduan të injektojnë edhe 40 miliarda dollarë shtesë për të mbrojtur valutat rajonale. Ministrat e riafirmuan edhe përkushtimin e tyre për të kundërshtuar masat protekcioniste, për të cilat thanë se vetëm do ta përkeqësonin rënien e ekonomisë.