Sukaj rikthen Vllazninë në krye të renditjes
Vllaznia rimori pas vetëm 1 jave kreun e Kategorisë Superiore pas fitores 2-0 me Lushnjën në “Loro Boriçi”, falë dy golave të sulmuesit të Kombëtares shqiptare, Xhevahir Sukaj, i cili realizoi nga një gol në çdo pjesë: 27’ dhe 58’. Talenti shkodran, autor edhe i një triplete në fitoren 4-1 kundër Besës, u ngjit në kuotën e 5 golave, duke qenë golashënuesi i tretë më i mirë i kuqebluve pas Vioresin Sinanit (9) dhe Paulin Dhëmbit (6). Vllaznia pas javës së 21-të kryeson me 41 pikë, një më shumë se Tirana e vendit të dytë (40) dhe gjashtë me shumë se Dinamo e vendit të tretë (35), ku me këtë të fundit do të përballet të mërkurën e ardhshme në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë.
Flamurtari-
Dinamo 0-2
Me dy gola në pjesën e dytë nga dy mesfushorë, Allmuça në minutën e 48-të dhe Poçi nga pika e bardhë në të 55’, Dinamo e Shkëlqim Muçës fitoi bindshëm me Flamurtarin (0-2) në Vlorë. Për ish-trajnerin e Tiranës, Muça, kjo është fitorja e dytë rresht pas asaj me Apoloninë (3-1) në javën e 20-të. Dinamo, kampione në fuqi, u ngjit në kuotën e 35 pikëve, pesë më pak se Tirana e vendit të dytë (40 pikë). Flamurtari pësoi humbjen e tetë sezonale, dhe duket se dhe Eqerem Memushi, trajneri i tretë sezonal i kuqezinjve vlonjatë, nuk po gjen dot “ilaçin” e duhur për një skuadër të superpaguar. Kjo ishte fitorja e 63-të e Dinamos në 115 ndeshje me Flamurtarin (25 fitore).
Apolonia-
Shkumbini 0-1
Alrind Nora i dhuroi tri pikë të arta në luftën e Shkumbinit për një vend në Ligën e Europës, kur sulmuesi gjirokastrite i peqinasve shënoi në minutën e 52-të golin e vetëm në Apolonia-Shkumbini (0-1), duke hidhëruar disa mijëra tifozë fierakë. Kjo ishte humbja e dytë rresht e Apolonisë pas katër fitoreve radhazi të formacionit të drejtuar nga serbi Esad Karishik. Edhe në fazën e parë Apolonia kishte humbur me Shkumbinin (2-0), pikërisht në debutimin e trajnerit Karishik. Shkumbini i Gugash Maganit regjistroi fitoren e 9-të sezonale, duke u ngjitur në vendin e katërt, tashmë me 33 pikë, katër më shumë se Besa e vendit të pestë (29 pikë). Kjo ishte fitorja e 11-të historike e Shkumbinit ndaj Apolonisë në 23 ndeshje (7 fitore Apolonia, 5 barazime).
Bylis-Teuta 2-0
Dy gola të vonshëm në pesë minutat e fundit, Gentian Muçës në të 85’ dhe Endri Bakiut në minutën e 90-të, i dhanë tri pikë të çmuara Bylisit në fitoren 2-0 kundër Teutës se Sulejman Staroves, në ndeshjen e vlefshme për javën e 21-të të Kategorisë Superiore. Me këtë fitore formacioni ballshiot i drejtuar nga Sulejman Starova u ngjit në kuotën e 21 pikëve dhe la vendin e fundit Lushnjës (18 pikë), që nga ana saj humbi 2-0 me Vllazninë në Shkodër. Kjo ishte fitorja e 5-të sezonale e Bylisit dhe e treta në 15 ndeshje historike me Teutën (8 fitore).
Kategoria Superiore
Java 21
E shtunë
Tirana-Elbasani 0-0
Partizani-Besa 1-0
Ngjela 45’+1’
E diel
Flamurtari-Dinamo 2-0
/Allmuça 48’ Poçi 55’ (p)
Vllaznia-Lushnja 2-0
Sukaj 27’, 58’
Apolonia-Shkumbini 0-1
/ Nora 52’
Bylis-Teuta 2-0
G. Muça 85’, Bakiu 90’
RENDITJA
Ekipi N P Gol
1. Vllaznia 21 41 31-16
2. Tirana 21 40 34-17
3. Dinamo 21 35 27-18
4. Shkumbini 21 33 22-19
5. Besa 21 29 20-23
6. Teuta 21 26 15-14
7. Flamurtari 21 25 15-16
8. Elbasani 21 25 16-17
9. Apolonia 21 24 22-28
10.Partizani 21 22 15-21
11.Bylis 21 21 17-28
12.Lushnja 21 18 14-24
Deklaruan pas ndeshjeve
Agim Canaj (Trajneri i Vllaznisë)
“Nuk jam shumë i kënaqur nga loja në pjesën e parë, sepse i lamë shumë hapësira kundërshtarit, aq sa dhe mund edhe të ishim goditur nga kundërsulmet e tyre. Megjithëse shënuam që në pjesën e parë, e përsëris, që nuk kemi luajtur mirë. Në pjesën e dytë disa gjëra u ndryshuan. Luajtëm më mirë, u pozicionuam siç duhet në fushë, por humbëm edhe shumë raste të tjera. Gjithsesi, e rëndësishme është që fituam dhe jemi të parët për momentin. Nuk mendoj shumë për renditjen, pasi mendja më punon vetëm për rikuperimin e lojtarëve për sfidën e së mërkurës ndaj Dinamos”.
Sulejman Starova (Trajneri i Teutës)
“Na vjen keq për humbjen. Nuk shfrytëzuam rastet e pjesës së parë dhe kur nuk shënon, pëson. Tensioni i ndeshjes së sotme ishte pasojë e së kaluarës, kur Bylisit nuk i janë dhënë pikë të merituara në ndeshje të tjera, ashtu si edhe ne, që na janë mohuar 4-5 pikë. Kjo na bën të mos jemi pjesë e Kupave të Evropës. Ne vuajmë nga sëmundja e njëjtë që kemi pasur edhe vite më përpara”, ka thënë tekniku i durrsakëve.
Shkëlqim Muça (Trajneri i Dinamos)
“Ekipi arriti të grumbullojë në këtë transfertë të vështirë një tri pikësh me shumë vlera. Luajtëm mirë e si pasojë e merituam dhe fitoren. Dinamo realizoi gjithçka, i shfrytëzoi mirë hapsirat që i krijoi Flamurtari kështu nuk e kishte të vështirë për të gjetur rrugën për tek goli. Gjatë gjithë javës ishim përgatitur ashtu si duhet pasi e dinim që nuk na priste një kundërshtar i lehtë. Megjithatë mund të them që miqtë me të vërtetë gjatë gjithë takimit na sulmuan por ata vuajtën përvojën e pakët të lojtarëve që u aktivizuan në fushën e blertë. Fitorja në transfertë më gëzon”.
Eqerem Memushi (Trajneri i Flamurtarit)
“Ky rezultat nuk duhet të ndikojë aspak te takimet e tjera. Megjithatë për mua goli i anuluar ishte i rregullt. Tani duhet të përqendrohemi tek ndeshja e radhës që do ta zhvillojmë në mesjavë me Partizanin për Kupën e Shqipërisë”.
Gugash Magani (TrajnerI i Shkumbinit)
“Ishte një ndeshje e fortë nga të dyja ekipet, një lojë ku mbizotëroi në çdo moment Fair–Play. Ne e shfrytëzuam ashtu siç rastin që na u dha për shënim, por po të ishim treguar më të kujdesshëm me anë të kundërsulmit të shpejtë, mund ta kishim dyfishuar rezultatin. Megjithatë, duhet pranuar edhe presioni që na bëri ekipi vendës gjatë gjithë lojës. Dhe në qoftë se nuk pësuam, kjo erdhi se u vendosëm mjaft mirë në mbrojtje. Arritëm një fitore mëse të merituar”.
Esad Karishik (TrajnerI i Apolonisë)
“Gjatë gjithë javës teksa përgatiteshim për këtë takim, kemi pasur disa probleme me lojtarët e mesfushës, pasi janë të dëmtuar si Hoti ashtu edhe Kelmendi, që luajti vetëm një pjesë të lojës për shkak të dëmtimit. Apolonia zhvilloi një ndeshje të dobët dje, duke mos u shfaqur ashtu si duhet në fushën e lojës, por mund të them që na mungoi edhe fati. Ekipi i Shkumbinit ishte racional në lojën e vet, shfrytëzoi gabimet tona dhe fitoi. I përgëzoi miqtë për fitoren”.