Muzikë shqipe e ruse, në bagetën e Babametos
Roland Çene*
Koncerti i fundit në skenën e Akademisë së Arteve, i Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar, një ndër strukturat më të kualifikuara të jetës muzikore të vendit, ishte një bashkëpunim me dirigjentin Altin Babameto dhe kitaristin kosovar me banim në Kroaci, Petrit Çeku. Dirigjenti Babameto kishte ndërtuar një program, i cili përmbante vepra të dimensioneve të ndryshme për nga forma si dhe kontraste të thella për nga stili e gjuha muzikore. “Rapsodia Nr. 2” për orkestër e kompozitorit shqiptar Kujtim Laro hapi siparin e koncertit. Kjo vepër shquhet për gjuhën e qartë, mbështetjen në melosin e muzikës polifonike labe, karakterin epik e mbi të gjitha, për ngarkesat emocionale e fuzionin e plotë orkestror. Laro është një ndër kompozitorët që kanë sjellë më shpesh begatinë e folklorit të Labërisë në muzikën tonë kombëtare, ku spikat dukshëm evidentimi i modit pentatonik.
Për Orkestrën e RTSH nuk është hera e parë ekzekutimi i kësaj vepre, por interpretimi i fundit i saj, nën drejtimin e dirigjentit të ri A. Babameto, solli freski dhe impresione të fuqishme për dëgjuesit. Në drejtimin e kësaj vepre, Babameto ka ditur të përcjellë qartë partiturën e veprës, strukturën e saj si dhe zhvillimin dramaturgjik të materialit tematik. Ai, natyrshëm e pa sforco, e përdor aparatin dirizhorial në përputhje me karakterin e veprës dhe nga ana tjetër, me zhvillimet e shkallëzuara emocionale, krijon kulminacione mbresëlënëse. Orkestra e RTSH, falë dhe eksperiencës së gjate skenike, iu përgjigj kërkesave interpretuese të dirigjentit. Në mesin e programit, Babameto kishte vendosur për interpretim Suitën orkestrale “The Gadfly”,(Zekthi), të kompozitorit të shquar rus të shek. XX Dimitri Shostakoviç. Kjo Suitë, e cila përmban 12 numra, dallohet si një ndër veprat më demokratike të autorit. Për nga gjuha, stili, mënyra e orkestrimit dhe emocionet që ajo krijon, kjo vepër renditet ndër veprat më popullore të realizmit rus të gjysmës së parë të shek. XX. Kontrasti midis pjesëve përbërëse, shprehja e qartë muzikore, ngarkesat emocionale, larmia ritmike e koloriti i pasur timbrik, bënë të mundur që vepra të dëgjohet me interes nga auditori në sallë. Nga të 12 numrat e Suitës, orkestra nën drejtimin e Babametos kishte përzgjedhur vetëm 9 prej tyre, të renditura mbi parimin kontrastues nga pjesa në pjesë. Nisur nga kjo, dirigjenti A. Babameto arriti ta realizojë këtë dukuri sa më mirë dhe në mënyrë mjaft organike. Ai i ekonomizoi elementët interpretues, duke arritur logjikshëm në kulminacione të organizuara, duke zbuluar kështu efektet e pritshme që përmban partitura. Edhe pse publiku e dëgjonte për herë të parë këtë vepër në skenat tona, ndjeshmëria interpretuese e orkestrës së RTSH dhe e dirigjentit Babameto, bëri që Suita e kompozitorit D. Shostakoviç, të pritet me entuziazëm nga dëgjuesit e shumtë. Është praktikë e kësaj orkestre tashmë interpretimi i veprave të panjohura për dëgjuesin, çka ka rritur nivelin e saj ekzekutiv dhe nga ana tjetër ka tërhequr vëmendjen e dëgjuesit muzikor. Në pjesën mbyllëse të programit, u prezantua kitaristi Petrit Çeku, një kitarist, i cili edhe pse në moshë të re dhe me karrierë jo shumë të gjatë, ka realizuar një CV mjaft të pasur, kualifikime të thella, pjesëmarrje dhe çmime ndërkombëtare si dhe turne në mjaft vende të Evropës e më gjerë. Ai tashmë jeton në Kroaci, ku në vitin 2008 u shpall muzikanti më i mirë i vitit. Në bashkëpunimin e tij me Orkestrën e RTSH dhe dirigjentin A.Babameto, kitaristi P.Çeku solli një nga veprat më përfaqësuese të repertorit të kitarës, siç është “Koncierto de Aranjuez”, i kompozitorit të njohur spanjoll Joaquin Rodrigo. Kjo vepër që për nga cilësia është ndër më të arrirat për instrumentin e kitarës, ku kitaristët kanë gjetur të shkrira specifikat e veçoritë e instrumentit, ndërkohë dallohet për origjinalitet dhe identitet të qartë kombëtar. Melosi i pasur e me ndjeshmëri të lartë, gjuha e qartë muzikore, ekspresiviteti që shoqëron lëndën muzikore si dhe kolori i pasur, të gjitha këto, së bashku me lojën mjeshtërore, bënë që publiku në fund të duartrokasë nxehtësisht solistin P. Çeku dhe orkestrën e udhëhequr nga A.Babameto. Koncerti i fundit i RTSH, realizuar në bashkëpunim me dy artistët e rinj, padyshim që solli freski e dinamizëm në lojën e orkestrës. Dhe kjo për vetë faktin se bashkëpunime të tilla i japin vitalitet dhe forcë interpretuese kësaj orkestre me përvoja të tilla mjaft të suksesshme.
(*Dirigjent, Artist i Merituar)